Lojtari izraelit zbulon arsyen e provokimit ndaj tifozëve shqiptarë
Autori i golit të vetëm të Izraelit në fitoren 1-0 ndaj Shqipërisë në stadiumin “Air Albania”, Oscar Gloukh, ka shpjeguar arsyen e gjestit që shkaktoi tensione në fushë dhe solli përplasjen e tij me disa nga futbollistët kuqezi.
Lojtari izraelit realizoi golin vendimtar të takimit në pjesën e dytë dhe gjatë festimit u drejtua nga tribunat, duke bërë shenjën për heshtje ndaj tifozëve shqiptarë. Më pas ai tregoi me gisht stemën e Izraelit në fanellë dhe e puthi atë, një veprim që nuk u prit mirë nga lojtarët kuqezi.
I pari që reagoi ishte Elseid Hysaj, i cili iu afrua Gloukh dhe i kërkoi llogari për festimin. Situata u tensionua për disa çaste, me futbollistë nga të dyja skuadrat që u përfshinë, por gjithçka u qetësua shpejt.
Pas ndeshjes, 22-vjeçari zbuloi se reagimi i tij lidhej me fishkëllimat që u dëgjuan gjatë ekzekutimit të himnit kombëtar të Izraelit para fillimit të takimit.
“Nuk mund ta injoroja që fishkëllyen gjatë himnit kombëtar. Nuk e prisnim këtë, ishte vetëm një ndeshje miqësore. Isha i entuziazmuar që në fillim dhe, me emocionet dhe golin, ky ishte reagimi im në fund”, deklaroi Gloukh.
Futbollisti izraelit shtoi se nuk ka asnjë pendesë për veprimin e tij. “Nuk pendohem. Jam shumë i lumtur”, theksoi ai.
Për atmosferën në “Air Albania” foli edhe kapiteni i Izraelit, Manor Solomon, i cili pranoi se skuadra e tij u befasua nga reagimi i tifozëve shqiptarë gjatë himnit.
“Luajtëm një ndeshje të shkëlqyer në një atmosferë armiqësore. Sa i përket fishkëllimave gjatë himnit, u habitëm prej tyre. Ishte e pakëndshme dhe ndoshta fishkëllima më e ashpër që kemi marrë deri më tani. Shqiptarët na pritën ngrohtësisht, kështu që nuk e prisnim. Por si lojtarë futbolli, duhet të dimë si ta përballojmë”, u shpreh Solomon.
Fishkëllimat gjatë himneve kundërshtare janë bërë një dukuri e përsëritur në ndeshjet e Kombëtares shqiptare në vitet e fundit, megjithëse shpesh janë kritikuar si nga drejtuesit e futbollit ashtu edhe nga opinioni sportiv.
Në këtë rast, ato duket se ndikuan drejtpërdrejt në festimin e Gloukh pas golit që i dha Izraelit fitoren minimale në debutimin e trajnerit Rolando Maran në stolin kuqezi.