27 Korrik, 2026

Ligji i Zeusit dhe ligji shqiptar i mikpritjes

 Ligji i Zeusit dhe ligji shqiptar i mikpritjes

U raportua gjerë e gjatë këto ditë mbi filmin “Odiseu” të regjisorit britanik Christopher Nolan. Në botën shqiptare interesimi ishte i madh edhe për shkak se në film dëgjohen, për pak çaste, edhe tinguj shqiptarë të iso-polifonisë. Këta tinguj besohet se bartin atmosferën që mbretëronte në Mesdhe rreth vitit 1180 para Erës së Re.

Ishte një përvojë interesante ta shihja këtë film në Prishtinë, në Cineplexx. Një kinema moderne, me një publik jo aq të madh (për shkak të terminit në orën 11:00) dhe të disiplinuar, përkundër kohëzgjatjes: gati tri orë pa pauzë.

Përtej detajit me iso-polifoninë më shumë kureshtje më zgjoi Ligji i Zeusit, i cili e përshkon filmin. Veti thelbësore e këtij ligji është mikpritja. Telemaku, i biri i Odiseut, e shpjegon këtë ligj, më të rëndësishmin e asaj kohe, kështu: trajtoje çdo të huaj ashtu siç ke dëshirë të të trajtojnë të tjerët ty. Kush e tradhton mysafirin, e tradhton rendin e botës. Nga ky këndvështrim mysafiri përshkruhet si krijesë e shenjtë, sepse pas çdo mysafiri mund të fshihet nje Perëndi e maskuar.

Kjo sjellje sociale në kohën e Odiseut, na kujton Kanunin shqiptar dhe sidomos nenin 602, i cili thotë: “Shpija e Shqyptarit âsht e Zotit e e mikut”. Rituali i pritjes së mikut shpjegohet hollësisht në nenet vijuese të Kanunit. Pas përshëndetjes në oborr apo në hyrje të shtëpisë, miku ia dorëzon armën mikpritësit, i cili i prin në shtëpi dhe “e çon në krye të vendit ké votra”. Pastaj “përpushet zjarmi, lypen edhè drû”, “mikut do t’i bahet nderë: ‘Bukë e krypë e zemër’”, në çdo kohë të ditës e natës, “për çdo mik duhet buka si hàn vetë”, “për mik të mirë duhet kafja, rakia e buka e shtrueme me ndo’i send mâ teper”, “për mik zemret duhet duhâni, kafja e ambel, rakija e bukë e mish”.

Odiseu është rrëfimi total mbi luftën, heroizmin, mençurinë, tradhtinë, barbarinë, dashurinë, vuajtjen, durimin, kureshtjen dhe kthimin në shtëpi. Filmi i Christopher Nolan i trajton këto tema të përjetshme në një kohë krizash globale. Si të jetonte në kohërat e sotme, kur zërat apokaliptikë nuk mungojnë, Penelopa, gruaja e Odiseut, paralajmëron një “epokë të errësirës” dhe “shkatërrimin e të gjitha civilizimeve”. (Enver Robelli)

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *