14 Korrik, 2026

Laver Bariu, ustai i gërnetës që nuk i këndoi kurrë Enver Hoxhës

 Laver Bariu, ustai i gërnetës që nuk i këndoi kurrë Enver Hoxhës

I ftuar në emisionin “Dekalog” nga gazetari Roland Qafoku, Zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave, Vasil Tole, solli detaje të panjohura nga jeta dhe karriera e mjeshtrit të madh të gërnetës, Laver Bariu.

Gjatë bisedës, Tole u ndal te rrugëtimi artistik i klarinetistit legjendar, marrëdhënia e tij me pushtetin komunist, korrespondenca me Enver Hoxhën, si dhe te fakti se, ndonëse ishte një nga artistët më të vlerësuar të kohës, ai nuk i kushtoi kurrë një këngë udhëheqësit komunist.

Sipas Toles, pasioni i Laver Bariut për muzikën nisi që në moshë të vogël. Ai tregoi një episod të veçantë nga fëmijëria e artistit, kur dëshira për të pasur një klarinetë ishte aq e madhe, sa i vuri të atit një kusht.

“O më bli klarinetën, o do hidhem në lumë”, tregoi Tole, duke rrëfyer vendosmërinë e jashtëzakonshme të djaloshit që më vonë do të kthehej në simbol të muzikës së Jugut.

Gjatë intervistës, akademiku u ndal edhe te historia e Gurit të Përmetit dhe lidhja e fortë që Laver Bariu kishte me qytetin e tij. Përmeti, sipas Toles, nuk ishte vetëm vendlindja e artistit, por edhe burimi i frymëzimit që formësoi stilin e tij unik muzikor.

Një pjesë e rëndësishme e bisedës iu kushtua marrëdhënies së Laver Bariut me regjimin komunist. Tole tregoi se artisti ishte i njohur dhe i vlerësuar në nivelin më të lartë shtetëror, por pavarësisht kësaj, ai nuk u bë kurrë pjesë e kultit të individit.

“Laver Bariu nuk i këndoi kurrë Enver Hoxhës”, theksoi Tole, duke e veçuar këtë fakt nga shumë artistë të tjerë të kohës.

Në emision u shfaqën edhe letra të rralla që Laver Bariu kishte shkëmbyer me Enver Hoxhën.

Dokumentet tregojnë kërkesat që artisti i drejtonte udhëheqësit komunist, por edhe mënyrën se si këto kërkesa merrnin përgjigje.

“Laver Bariu nuk ishte thjesht një muzikant i madh. Ai ishte një institucion i muzikës shqiptare”, u shpreh Tole.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *