14 Korrik, 2026

Britania mbetet pa asnjë nëndetëse luftarake në det

 Britania mbetet pa asnjë nëndetëse luftarake në det

Mbretëria e Bashkuar ndodhet për herë të parë pas shumë vitesh pa asnjë nëndetëse sulmuese aktive në det, duke ngritur shqetësime serioze për gatishmërinë operacionale të Marinës Mbretërore.

Sipas UK Defence Journal, të pesë nëndetëset operacionale të klasës Astute ndodhen aktualisht në bazë ose në mirëmbajtje, çka e lë përkohësisht Londrën pa një nga kapacitetet e saj më të rëndësishme ushtarake.

Raporti thekson se dy nëndetëse ndodhen jashtë shërbimit në bazën detare të Faslane-it, dy të tjera po i nënshtrohen riparimeve afatgjata në Devonport, ndërsa e pesta është rikthyer së fundmi nga misioni dhe nuk është ende në gjendje të rikthehet në patrullim.

“Vetëm një nëndetëse është kthyer nga deti javët e fundit, por rikthimi i saj nuk ka lehtësuar presionin mbi flotën, e cila praktikisht ka mbetur pa mjete për të dërguar në mision”, shkruan UK Defence Journal.

Nëndetësja e gjashtë e klasës Astute ka hyrë në shërbim, por vazhdon testimet dhe nuk konsiderohet ende e gatshme për operacione luftarake, ndërsa e shtata mbetet në ndërtim.

Sipas raportit, problemet lidhen me kapacitetet e kufizuara për mirëmbajtje, mungesën e pjesëve rezervë, mungesën e specialistëve teknikë dhe të ekuipazheve të trajnuara. Në një rast, Marina Mbretërore është detyruar të çmontojë pjesë nga një nëndetëse për të mbajtur në funksion të tjerat.

Ekspertët paralajmërojnë se situata ka pasoja të rëndësishme për sigurinë kombëtare. Nëndetëset e klasës Astute janë mjeti kryesor i Britanisë për monitorimin e fshehtë të aktivitetit të nëndetëseve ruse në Atlantikun e Veriut dhe luajnë një rol kyç në mbrojtjen e nëndetëseve britanike të pajisura me armë bërthamore.

Ato janë gjithashtu e vetmja platformë britanike e aftë të lëshojë raketat me rreze të gjatë Tomahawk, duke përbërë një element thelbësor të kapaciteteve goditëse të Marinës Mbretërore.

Shqetësimet për gjendjen e flotës nuk janë të reja. Në fund të vitit 2025, komandanti i Marinës Mbretërore, Gwyn Jenkins, paralajmëroi se Mbretëria e Bashkuar rrezikon të humbasë kontrollin e Atlantikut përballë Rusisë për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, nëse nuk përshpejtohen investimet dhe modernizimi i forcave detare.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *