21 Maj, 2026

Kush është ‘Tori Ruçi’, tepelenasi që u bë shkak i vrasjes së biznesmenit në Sarandë!

 Kush është ‘Tori Ruçi’, tepelenasi që u bë shkak i vrasjes së biznesmenit në Sarandë!

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë e ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Sarandë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri 66-vjeçari Rexhep Ismaili.

Sipas informacioneve paraprake, Ismaili nuk dyshohet të ketë qenë shkaku kryesor i konfliktit që çoi në përplasjen fatale në lokalin e tij, por është përfshirë gjatë debatit mes disa personave për një çështje pronësie në zonën bregdetare.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se rreth orës 21:28 të së enjtes, gjashtë të rinj kanë shkuar në lokalin pranë kryqëzimit të rrugës Sarandë–Himarë, pasi kishin informacion se aty ndodhej 50-vjeçari Tori Ruci, i njohur edhe si Viktor Ruci, me origjinë nga Tepelena dhe banues prej vitesh në fshatin Gjashtë të Sarandës.

Kush është Viktor Ruci:

Ruci rezulton person me precedentë të shumtë penalë që prej fillimit të viteve 2000.

Ai ishte liruar nga burgu më 12 mars 2026, pasi ishte ndaluar nga policia në 19 shkurt të këtij viti për shkak të një dënimi në mungesë me 8 muaj burg për veprën penale “moskallëzim krimi”, të dhënë në vitin 2019.

Më pas ai ishte liruar, pasi dënimi rezultonte i parashkruar.

Po ashtu, Ruci rezulton të ketë qenë i përfshirë në një grup të trafikut të drogës, i goditur nga policia e Sarandës në vitin 2018.

Sipas hetimeve, një prej të rinjve të përfshirë në konflikt kishte mosmarrëveshje me Rucin për çështje pronësie lidhur me një lokal në zonën bregdetare dhe më herët kishte pasur përplasje me të.

Për këtë arsye ai kishte marrë me vete edhe disa shokë dhe së bashku janë paraqitur në lokalin e Rexhep Ismailit.

Në verandën e lokalit ndodheshin të ulur në tavolinë Tori Ruci, Rexhep Ismaili dhe tre persona të tjerë të afërm apo shoqërues të tyre.

Menjëherë pas mbërritjes së grupit ka nisur një konflikt fizik me sende të forta, ku objektivi kryesor dyshohet të ketë qenë Tori Ruci.

Sipas të dhënave paraprake, pasi situata u përshkallëzua, Rexhep Ismaili është futur brenda lokalit dhe ka dalë me një armë zjarri tip “Kallashnikov”, duke qëlluar disa herë në drejtim të grupit të të rinjve.

Nga të shtënat dyshohet se ka mbetur i plagosur një prej personave të grupit tjetër.

Ndërkohë, nga pala tjetër ka pasur kundërpërgjigje me armë zjarri tip pistoletë, ku një plumb e ka goditur Ismailin në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Deklarata e drejtorit të Policisë Vlorë, Elidon Çela: 

Jam sot këtu për të informuar opinionin publik lidhur me veprimet e shpejta, intensive dhe profesionale hetimore, të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të ngjarjes së ndodhur rreth orës 21:30 të datës 07.05.2026.

Ngjarja ka ndodhur në kryqëzimin e fshatit Gjashtë, në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit R. I., (Rexhep Ismaili) ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi R. I., 66 vjeç, si dhe u plagos shtetasi K.V. (Kostandin Vogli).

Si rezultat i veprimeve hetimore, u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të vrasjes si dhe zbardhja e dinamikës së ngjarjes.

Gjithashtu, vetëm pak momente më parë është bërë dhe shoqërimi i shtetasit të plagosur Kostandin Vogli i cili aktualisht po merr ndihmën mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në vijim ky shtetas do t’u nënshtrohet procedurave penale.

Nga hetimet rezultoi se mbrëmjen e djeshme, shtetasit:

L.T., Lulzim Tabaku, 37 vjeç

I.C., Idriz Çela 40 vjeç,

E.M., Eljo Muço 19 vjeç

K.V., Kostandin Vogli 31 vjeç

M.A  Marjo Agalliu 22 vjeç

dhe E.Sh.Ermal Shkalla  21 vjeç

kanë shkuar në lokalin e viktimës dhe janë drejtuar te tavolina ku ndodheshin shtetasi Tori Ruçi i shoqëruar nga viktima dhe persona të tjerë të pranishëm duke filluar menjëherë konfliktin me sende të forta me këta shtetas.

Gjatë konfliktit të dhunshëm, rezulton se viktima R. I ka marrë një armë zjarri automatike dhe ka qëlluar në drejtim të shtetasve të përfshirë në konflikt,

Në vijim të ngjarjes, dyshohet se shtetasi L. T. ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të shtetasit R. I., i cili për pasojë ka humbur jetën në vendngjarje.

Gjithashtu gjatë shkëmbit të zjarrit ka mbetur i plagosur në këmbë edhe shtetasi K.V.

Pas ngjarjes, të gjithë shtetasit e përfshirë në konflikt janë larguar nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë, dyshohet se vëllai i viktimës, shtetasi H. I., ka larguar nga vendngjarja dhe fshehur armën e zjarrit automatike së bashku me një krehër me 21 fishekë, të cilat më pas u gjetën dhe u sekuestruan nga Policia, në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, u sekuestruan prova të tjera materiale, konkretisht një automjet tip “Audi Q8”, dhe fishekë dhe gëzhoja të kalibrave të ndryshëm dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë vijimit të hetimeve.

Gjatë kontrolleve të mëtejshme, në fshatin Nivicë u gjet i braktisur motomjeti, me të cilin dyshohet se është larguar nga vendngjarja autori i dyshuar, shtetasi L. T. Po ashtu, në lagjen nr. 1, Sarandë, u gjet dhe u bllokua një automjet tip “Audi”, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët e përfshirë në ngjarje.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u shpallën në kërkim shtetasit:

L. T., 37 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”;

I. C., 40 vjeç, E. M., 19 vjeç, K. V., 31 vjeç, M. A., 22 vjeç dhe E. Sh., 21 vjeç, për veprat penale “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”.

Si dhe u proceduar penalisht shtetasi H. I. (Hajredin Ismaili) 60 vjeç, vëllai i viktimës.

Vijojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes si dhe kërkimet intensive për lokalizimin dhe kapjen e të gjithë shtetasve të shpallur në kërkim.

Në këtë kuadër, ftojmë qytetarët të bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit, duke dhënë çdo informacion të vlefshëm për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe për parandalimin e veprimeve të paligjshme.

Policia e Qarkut Vlorë mbetet maksimalisht e angazhuar në luftën kundër kriminalitetit dhe në garantimin e rendit dhe sigurisë për qytetarët, turistët dhe vizitorët.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *