Kur media bën sikur nuk sheh
Nga Lutfi Dervishi
Protesta në Zvërnec ishte një test për median. Jo për qeverinë, jo për opozitën, por për vetë median. Dhe rezultati ishte zhgënjyes.
Shumica e televizioneve dhe portaleve nuk gjetën hapësirë për të raportuar protestën. Megjithatë, gjetën kohë dhe hapësirë për të transmetuar të plotë reagimin e Kryeministrit dhe, më herët, atë të Policisë.
Protesta mungonte, por komentet për të ishin aty. Pak a shumë si të raportosh rezultatin e një ndeshjeje që nuk e ke transmetuar kurrë.
Pavarësia editoriale, integriteti dhe profesionalizmi nuk maten kur transmeton konferenca shtypi apo deklarata zyrtare, por kur ndodh një ngjarje e madhe, kur ka konflikt interesi, dhe kur pushteti preferon heshtjen. Ngjarjet e mëdha janë rasti ku media duhet të tregojë se është institucion informimi dhe jo një tabelë njoftimesh.
Inercia e të sjellit si struc është e pamundur në epokën e rrjeteve sociale. Lajmi nuk zhduket sepse ti vendos të mos e transmetosh. Lajmi qarkullon, shpërndahet, komentohet, dhe shpesh vetë heshtja e medias kthehet në lajm më të madh se ngjarja. Pastaj vjen çudia e madhe: pse publiku nuk u beson më mediave?
Ndërkohë, shumica e mediave vazhdon të ushqehet me tallavanë e përditshme politike: “ai tha”, “ajo tha”, “ky sulmoi”, “ai reagoi”. Politika është bërë oksigjeni i tyre. Kur qeveria i bojkoton, ato kanë problem. Kur i bojkoton edhe opozita, problemi bëhet ekzistencial. Debati i mbrëmjes zbret menjëherë në kategorinë e dytë, me politikanë që i njohin më shumë moderatorët sesa votuesit.
Sot qeveria është vetë media, opozita është media, aktivisti është media; çdo qytetar me një telefon në dorë është potencialisht media. Në këtë kakofoni të madhe, nuk mund të jesh profesionist duke fshehur lajmet. E vetmja rrugë drejt besueshmërisë është të bësh atë që askush tjetër nuk e bën dot me standarde profesionale: të kërkosh dhe të tregosh të vërtetën.
Rasti i Zvërnecit tregoi se shumica e medias dështoi edhe në minimumin e profesionit: te lajmi. Për raportim të thelluar apo investigim serioz as që bëhet fjalë. Dhe kur media nuk raporton atë që ndodh para syve të publikut, besimi ka vdekur. E besimin as nuk mund ta blesh, as ta marrësh me koncesion.
Kur media refuzon të jetë dëshmitare e realitetit, ajo humb arsyen e ekzistencës së saj. Publiku dhe sidomos të rinjtë jo me kot nuk presin më edicionet e lajmeve për të marrë vesh se çfarë ndodhi në Zvërnec; ai e sheh atë live në Instagram, TikTok apo Facebook. Duke humbur audiencën media shkon në varësi totale nga paratë e qeverisë, oligarkëve apo fondeve të dyshimta.
Nëse ndjek këtë rrugë, e ardhmja e medias është e shkruar: ajo është e dënuar me irrelevancë. Duke u kthyer në zyra PR-i për pushtetin, televizionet dhe portalet do të humbin përfundimisht audiencën, e cila tashmë e gjen realitetin pa filtra në rrjetet sociale. Media nuk do të vdesë sepse do të mbyllet, por sepse askush nuk do t’a ndjekë më.