24 Qershor, 2026

Ku janë intelektualët?

 Ku janë intelektualët?

Nga Kaon Serjani

Me sa kam parë deri tani, urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë për protokollet hormonale që synojnë ndryshimin e gjinisë ka nxitur reagime kryesisht nga klerikë, aktivistë, psikologë, disa gazetarë, pak politikanë dhe ndonjë mjek.

E keni vënë re kush mungon në këtë diskutim?

Mungojnë ata që e quajnë veten “intelektualë”.

Mungojnë akademikët, filozofët, antropologët, dhe veçanërisht shkrimtarët.

Grupi i fundit është ndoshta grupi më i madh që kemi dhe, paradoksalisht, është grupi më i heshtur.

Ne bëhemi të vetëdijshëm se paskemi një numër të pafund shkrimtarësh, sidomos kur ka panaire, konkurse letrare dhe ndarje çmimesh. Natyrisht, jo çdo person që shkruan e boton është intelektual; ndaj edhe i cilësova si “ata që e quajnë veten të tillë”.

Nuk besoj se ka nevojë për shumë argumentim për të kuptuar se diskutimi publik për trajtimin hormonal, që synon ndryshimin e gjinisë dhe që, për pasojë, çon në sterilizimin e atyre që i nënshtrohen kësaj terapie, nuk është thjesht një çështje mjekësore; ndaj edhe zëri i një intelektuali nuk mund të mungojë.

Ky është një fenomen thellësisht antropologjik, sepse ka të bëjë me mënyrën se si po kuptohen njeriu, trupi, seksi, identiteti dhe gjinia. Dhe, si i tillë, a nuk duhet të ishte në interesin më të lartë të një intelektuali apo shkrimtari?

A nuk duhet të ketë ai diçka për të thënë për atë se çfarë është njeriu, çfarë është trupi, çfarë është gjinia, çfarë do të thotë të jesh mashkull apo femër?

Si mund ta konsiderosh veten letrar apo mendimtar, nëse nuk flet kur vihet në diskutim vetë kuptimi i njeriut?

Një mendimtar nuk mund të thotë: “Po i bëj ‘pass’ kësaj teme.”

Temat nuk janë njësoj të rëndësishme. Ato kanë hierarki. Dhe se çfarë është njeriu duhet të qëndrojë në majë të kësaj hierarkie.

Dikush mund të shkruaj për lirinë, dashurinë, vetminë, padrejtësinë, tiraninë, traditën, emigracionin, fenë, vdekjen apo turpin, por nuk mund të quhet intelektual nëse është indiferent ndaj rikonceptimit të gjinisë.

Për çfarë duhet t’i lexojmë librat e këtij “mendimtari”, sado artistikisht të arrirë të jenë, nëse ai hesht ndërsa sheh të rinj që rrezikojnë të kthehen në terren eksperimentimi?

Për çfarë na duhet fjala e tij, nëse ai hesht kur sheh ideologjinë të vërë përpara një strukturë shtetërore?

Një intelektual duhet të bëjë një zgjedhje: do ta pranojë veprimtarinë e vet si dekor kulturor apo si ndërgjegje publike?

Pema njihet nga frytet.

Një shoqëri nuk ka nevojë për shkrimtarë festivalesh, nëse ata nuk flasin në kohë krizash morale. Nuk ka nevojë për autorë që flasin bukur për dinjitetin abstrakt, ndërsa heshtin kur dinjiteti rrezikon të dhunohet në mënyrë konkrete.

Ne nuk gënjehemi: heshtja është vetë një deklaratë.

Pra, këtu duhet ta pranojmë edhe mundësinë që intelektuali që nuk flet mund të jetë afirmues i asaj që, për shumë prej atyre që tashmë kanë folur, konsiderohet një degradim moral dhe antropologjik.

Por edhe në këtë rast kërkohet guxim për ta pranuar hapur.

Intelektuali nuk ka frikë.

Në një krizë morale dhe antropologjike, heshtja e intelektualit nuk është maturi; është kapitullim. Ajo dëshmon ose dorëzimin e rolit profetik në shoqëri, ose komprometim me pushtetin e ideologjisë.

Në të dyja rastet, shoqërisë nuk i duhet një intelektual i tillë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *