1 Tetor, 2026

Kulla, vetëm kulla: Rama i jep leje për 77 kate Luan Muçës, 23-kate për deputetin e PS

 Kulla, vetëm kulla: Rama i jep leje për 77 kate Luan Muçës,  23-kate për deputetin e PS

Kryeministri Edi Rama duket se e ka gjetur një shpjegim për kritikët e kullave që po ndryshojnë Tiranën: zilia. Këtë e tha gjatë prezantimit të konkursit për kullën e re që pritet të ngrihet në zonën ku ndodhet “Tajvani”.

Dhe ndoshta, po të ndiqet logjika e kryeministrit, ka edhe arsye për të pasur zili. Sepse ndërsa qytetarët shohin kullat që ngrihen njëra pas tjetrës, në dokumentet e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit shfaqen emra biznesmenësh të fuqishëm dhe madje edhe një deputet i mazhorancës.

Dy prej projekteve bien veçanërisht në sy. Njëri parashikohet në zemër të Tiranës dhe arrin në 77 kate. Tjetri është projektuar në Pogradec, me 23 kate, dhe pas kompanisë që do ta ndërtojë qëndron deputeti socialist i qarkut Korçë, Bledi Çomo.

Në mbledhjen e 30 korrikut të KKTU-së, mes kërkesave të shumta për ndërtime ishte edhe ajo për “Tirana Society Towers”, një godinë me përdorime të përziera, 77 kate mbi tokë dhe 10 kate parkimi nëntokësor, që parashikohet të ndërtohet në rrugën “Ludovik Shllaku”.

“Zilia” për kullat/ Rama i jep leje për 77 kate Luan

Nëse realizohet sipas projektit, ndërtesa do të kalojë në lartësi edhe “Malin e Tiranës”, kullën 58-katëshe që po ndërtohet nga kompania e biznesmenit, Ilir Shtufi, i arrestuar në Greqi pasi SPAK lëshoi një urdhërarrest ndaj tij për pastrim parash për llogari të një grupi kriminal. Vetëm disa metra larg saj, pas Pallatit të Kulturës, është parashikuar të ngrihet qiellgërvishtësi i ri.

“Zilia” për kullat/ Rama i jep leje për 77 kate Luan

Projekti arkitektonik mban firmën e kilianit Alejandro Aravena, ndërsa si subjekt zhvillues figuron “National Construction” sh.p.k.

Sipas të dhënave të hapura, “National Construction” zotërohet në masën 50 për qind nga “TDT&Partners”, me ortakë Glendi Abdinë dhe Dajlan Avdinë. Gjysma tjetër zotërohet nga “Deutschcolor”, pjesë e grupit DC Industries të kontrolluar nga biznesmeni Luan Muça.

Emri i Muçës doli në kronikën e zezë në fillim të shtatorit, pas një konflikti në hotelin “Regina Palm” në Vlorë. Përplasja lidhej me një konflikt për pronësinë e një trualli në Palasë. Muça u arrestua pas ngjarjes dhe tri ditë më vonë u la nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Pra, në Tiranë, një prej projekteve më të mëdha që synon qiellin e kryeqytetit lidhet me një kompani ku gjysmën e aksioneve e zotëron grupi i një biznesmeni që vetëm pak javë më vonë do të përfundonte në kronikën e një konflikti për pronën.

Por ndërsa Tirana garon me katet, edhe Pogradeci do ketë kullën e vet.

Në të njëjtën mbledhje të KKTU-së të 30 korrikut shfaqet projekti “Feneri i Pogradecit”, një godinë 23-katëshe që parashikohet të ngrihet në qytetin buzë liqenit. Këtë herë, pas projektit nuk qëndron vetëm një biznesmen. Kompania ndërtuese “Molos” sh.p.k. që zotërohet nga deputeti socialist Bledi Çomo dhe vëllai i tij, Genci Çomo.

“Zilia” për kullat/ Rama i jep leje për 77 kate Luan

Çomo ka një histori të gjatë në strukturat e Partisë Socialiste dhe në administratën vendore. Karrierën politike e nisi në FRESSH në vitin 2004, më pas punoi si sekretar i deputetit Fatmir Xhafaj, ndërsa pas vitit 2013 mbajti postin e sekretarit të Këshillit të Qarkut Korçë dhe më vonë atë të nënkryetarit të Bashkisë Pogradec.

Në zgjedhjet e vitit 2025 ai mori mandatin e deputetit të qarkut Korçë.

Pas marrjes së mandatit, në shtator të vitit të kaluar, Çomo hoqi dorë nga ushtrimi aktiv i të drejtave mbi kuotat e tij në kompaninë “Molos”, duke caktuar Kristi Kokoneshin si person të besuar. Por pronar mbetet sërish Çomo.

Dhe këtu projekti 23-katësh merr një dimension tjetër. Bledi Çomo nuk është vetëm biznesmen i lidhur me kompaninë që kërkon të ndërtojë “Fenerin e Pogradecit”. Ai është njëkohësisht deputet i mazhorancës dhe përfaqësues në Kuvend i qarkut ku projekti parashikohet të ndërtohet.

Pra një deputet i mazhorancës që merr leje për kullë nga kryeministri. Rasti i Çomos i shtohet një panorame më të gjerë ku kufiri mes funksionit publik dhe interesit privat bëhet gjithnjë e më i debatueshëm.

Në një skaj është Tirana, ku një kullë 77-katëshe kërkon të vendosë një rekord të ri në horizontin e kryeqytetit. Në skajin tjetër është Pogradeci, ku 23 kate mund të ndryshojnë dukshëm siluetën e një qyteti shumë më të vogël.

Duke parë këto raste, vlen të theksohet se lejet për kullat vijojnë të bartin shumë pikëpyetje, jo vetëm për njerëzit dhe kapitalet që qëndrojnë pas këtyre investimeve.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *