A mund ta fitojë PD, Bashkinë Gjirokastër? 3 faktorët që mund të ndryshojnë garën
Nga Armando Rabi
Pse Bashkia Gjirokastër mund të fitohet nga PD në zgjedhjet e ardhshme lokale?
1 Bashkia Gjirokastër
Këto 8 vite, por edhe në këto 14 vite qeverisje nga PS, Gjirokastra është shpopulluar si rrallëherë më parë. Është varfëruar, janë mbyllur qindra biznese dhe qyteti ka arritur në një situatë dramatike, ku sot ka më shumë vdekje se lindje.
Kjo është një nga dramat më të mëdha që po përjeton Gjirokastra.
Bashkia Gjirokastër është akuzuar vazhdimisht për braktisjen e qytetarëve, për një administratë të mbushur me militantë e familjarë dhe për nepotizëm.
Ndërkohë, fshatrat dhe njësitë administrative janë lënë të braktisur
Institucionet dhe drejtoritë e rëndësishme të qarkut i larguan nga Gjirokastra, duke bërë që shumë qytetarë të detyrohen të udhëtojnë drejt Lushnjës apo qyteteve të tjera për shërbime që më parë i merrnin në Gjirokastër.
Këto janë probleme që qytetarët i shohin dhe i përjetojnë çdo ditë.
2 Mundësia e PD-së
Në këto zgjedhje, PD-ja mund të ketë një mundësi reale për ta bërë garën shumë më të fortë në Bashkinë Gjirokastër.
Por kjo do të varet shumë nga mënyra se si do të organizohet fushata dhe mbi të gjitha nga kandidati që do të përzgjidhet.
3 Faktori Libohovë
Një faktor shumë i rëndësishëm në zgjedhjet e ardhshme do të jetë ish-Bashkia Libohovë, e cila do t’i bashkohet Bashkisë Gjirokastër.
Të gjithë e dimë se si u fitua nga PS-ja Bashkia Libohovë në zgjedhjet e vitit 2023 dhe çfarë dinamike politike ekziston në atë zonë.
Pikërisht për këtë arsye, votat e Libohovës mund të jenë determinante në garën për Bashkinë Gjirokastër.
PD-ja duhet ta shfrytëzojë këtë mundësi dhe ta analizojë shumë seriozisht votën e Libohovës, sepse ajo mund të ndikojë drejtpërdrejt në rezultatin përfundimtar.
4 Kandidati do jetë çelësi i garës
Ajo që PD-ja duhet të bëjë në këto zgjedhje është zgjedhja e kandidatit.
Nuk duhet thjesht një kandidat që gëzon mbështetjen e elektoratit të djathtë.
Duhet një figurë që gëzon respekt dhe popullaritet edhe përtej PD-së, një kandidat që mund të marrë vota edhe nga elektorati gri.
Në Gjirokastër ka me qindra socialistë që janë të pakënaqur, të zhgënjyer që nuk ndihen më të përfaqësuar nga PS-ja.
Nëse PD-ja do të dalë me një kandidat të tillë, me një figurë të njohur, të respektuar dhe me lidhje të forta me qytetin dhe komunitetin, atëherë gara mund të marrë një tjetër dimension.
Pra, Gjirokastra mund të jetë një nga betejat më interesante të zgjedhjeve të ardhshme lokale.
Faktori Libohovë, pakënaqësia ndaj qeverisjes vendore dhe zgjedhja e kandidatit mund të jenë tre elementët kryesorë që do të përcaktojnë se sa konkurruese do të jetë gara.