Kryebashkiaku i Tepelenës flet si komandant i Gardës: Jam përballur me këtë situatë në vitin 1998
Kryebashkiaku i Tepelenës, Gramoz Sako, ka reaguar për protestat e ditëve të fundit.
Reagimi i Sakos
Në cilësinë ekryetarit të Bashkisë Tepelenë, si ish drejtues i Gardës së Republikës, pjesë e zinxhirit të institucioneve për garantimin e sigurisë, por edhe si ish- komandant i grupit të sigurisë të ministrit të Rendit në kohën e trishtë të vitit të mbrapshtë 1998, e ndjej të nevojshme të shpreh qëndrimin tim lidhur me situatën e krijuar në vend përgjatë ditëve të fundit nga protestat e dhunshme që janë duke u zhvilluar.
I kam përjetuar nga afër vështirësitë dhe përgjegjësitë që mbart shërbimi në kushtet e tensionit dhe të rrezikut. Kjo përvojë më ka bërë të vlerësoj edhe më shumë rëndësinë e institucioneve funksionale, të rendit publik dhe të respektimit të ligjit.
E drejta për të protestuar dhe për të shprehur mendimin është një e drejtë themelore në një shoqëri demokratike dhe duhet të garantohet e të respektohet. Njëkohësisht, çdo protestë duhet të zhvillohet në mënyrë paqësore, në respekt të ligjit, sigurisë së qytetarëve dhe institucioneve publike.
Në këtë kontekst, shpreh solidaritetin dhe mbështetjen time për punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët veçanërisht këto ditë po përballen me përgjegjësi dhe vështirësi në garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Njëkohësisht, i dënueshëm mbetet çdo akt dhune që cënon bizneset private, dëmton pronën dhe godet institucionet publike. Pas çdo biznesi të dëmtuar qëndrojnë vite pune, përpjekje dhe familje që sigurojnë jetesën përmes aktivitetit të tyre.
Dëmtimi i pronës private nuk është thjesht një humbje materiale për sipërmarrësit; ai cënon sigurinë ekonomike, klimën e biznesit dhe besimin te mjedisi ku ushtrohet veprimtaria ekonomike.
Po kështu, institucionet publike janë pasuri e përbashkët e qytetarëve, të financuara dhe të ndërtuara për t’u shërbyer atyre. Dëmtimi i tyre cënon interesin publik dhe vështirëson ushtrimin e funksioneve që këto institucione kanë në shërbim të shoqërisë.
Protesta është shprehje e një të drejte; dhuna është cënim i të drejtave të të tjerëve.
Si kryetar i Bashkisë Tepelenë dhe si njeri që ka shërbyer në strukturat e sigurisë, besoj se mbrojtja e Policisë së Shtetit, e sipërmarrjes private dhe e institucioneve publike nuk është çështje interesash të veçanta, por një përgjegjësi e përbashkët për të mbrojtur qytetarët, pronën, rendin dhe shtetin e së drejtës.
Ligji, siguria dhe përgjegjësia qytetare janë themeli i një shteti që u shërben të gjithëve.