Kosovarët që po “marrin më qafë” Shqipërinë
Nga Enver Robelli
Prapë kosovarët fajtorë…
I.
Kur filluan protestat me flamingo dhe për flamingon në Shqipëri, pushteti i Tiranës shpejt i gjeti disa fajtorë kujdestarë: kosovarët dhe kosovaret. “Bëhen sikur po vijnë për plazh, por duan të shkatërrojnë Shqipërinë, e sidomos turizmin, marrin pjesë në protesta, me një fjalë: rreziku vjen nga Kosova”. Kjo ishte akuza që përhapej nga pushteti, në disa variacione. Nga ky këndvështrim, i artikuluar sidomos nga deputetë të pushtetit, kosovari i mirë është vetëm ai që i shërben nomenklaturës sunduese dhe nduk ndonjë copë nga pasuria e oligarkëve, të cilën ata e kanë krijuar, natyrisht, me punë shumë, shumë, shumë të ndershme dhe brenda kornizës ligjore (mos qeshni).
II.
Dje u bë e ditur se shefja e shërbimit sekret të Republikës së Shqipërisë ka përfunduar në arrest shtëpiak. Një rast i paprecedent në një vend funksional, madje i rrallë edhe në republika bananesh. Arsyeja e kësaj mase nga SPAK-u? Dyshohet se tashmë e arrestuara dhe e ngujuara në burg shtëpiak ka përkrahur «autorin e krimit» dhe ka nxjerrë «sekretin shtetëror». Edhe kjo e kyçura në shtëpi është kosovare, por e angazhuar nga vetë kryeministri i Shqipërisë për këtë punë të rëndësishme. Kjo hyn në mesin e kosovareve e kosovarëve të pëlqyer në Tiranë. Së paku nga ata që kanë pushtet. Kujt do t’i vijë radha së shpejti? Cili kosovar është në shënjestër?
III.
Ka diçka orwelliane në këtë situatë. Te romani “1984” fajtori kujdestar është Emmanuel Goldstein. Ai është burimi i çdo të keqeje. Figura e Goldsteinit i shërben sistemit për të kanalizuar mllefin e qytetarëve drejt një armiku abstrakt. Ndonëse pushteti thotë se në shtetin fiktiv Oqeani mbretëron bollëku, e vërteta është se aty rrjedh vetëm xhini sintetik për të turbulluar e mpirë shqisat. Me shqisa të mpira edhe pushtetarët e Tiranës përherë e kanë nga një kosovar a kosovare si rrufepritës. Tani që kosovarët e flamingove u dëbuan dhe kosovarja e antiflamingove përfundoi në arrest shtëpiak, duke hyrë në histori dhe duke dhënë edhe një dëshmi që kjo është qeveria më e pastër e Shqipërisë që nga viti 1912, tani Shqipëria pritet vetëm të lulëzojë.