Ish-ministri i PS-së thirrje socialistëve: Të shpëtojmë vendin, duke shkarkuar Ramën
Ish-ministri socialist dhe pedagogu Arben Malaj u ka bërë thirrje anëtarëve dhe përfaqësuesve të Partisë Socialiste të reflektojnë mbi situatën politike në vend, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të eksponentëve kryesorë që, sipas tij, lidhen me modelin aktual të qeverisjes.
Në reagimin e tij, ai e cilëson largimin e Ramës si një “domosdoshmëri urgjente kombëtare”, duke theksuar se përgjegjësia për ndryshimin duhet të merret fillimisht nga vetë Partia Socialiste. Sipas tij, socialistët duhet të analizojnë situatën dhe të mbajnë një qëndrim për zhvillimet politike, pa pritur që kriza të thellohet më tej.
Malaj nënvizon rëndësinë e reflektimit brenda radhëve të PS-së, duke kërkuar që anëtarët e saj të mos qëndrojnë indiferentë përballë situatës aktuale.
Reagimi i Arben Malaj:
Një apel nga zemra për çdo socialist me ndërgjegje, dashuri dhe përgjegjësi kombëtare.
Ky është një apel për të gjithë ata socialistë brenda “Rilindjes” që ndiejnë ende përgjegjësi morale dhe kombëtare ndaj të ardhmes së vendit tonë.
Shqipëria nuk mund të vazhdojë më nën këtë mënyrë qeverisjeje, ku individë të caktuar kanë kriminalizuar jetën shoqërore, ekonominë dhe politikën.
Sot, shpëtimi i vendit nga kjo kapje nuk është thjesht një kërkesë politike, por një detyrim moral e kombëtar.
Dorëheqja e Edi Ramës dhe e eksponentëve kryesorë të lidhur me këtë model qeverisës është bërë sot një domosdoshmëri urgjente kombëtare!