Ish-agjenti i Sigurimit: Ja pse nuk u rrëzua dot regjimi i Enver Hoxhës nga ndërhyrjet e huaja
Ish-koloneli Hajro Limaj ka folur mbi kapacitetin parandalues që, sipas tij, kishte shteti shqiptar gjatë periudhës 1945–1990, duke argumentuar se ky mekanizëm sigurie ishte një nga arsyet kryesore pse regjimi i Enver Hoxhës nuk u rrëzua nga faktorë të jashtëm.
Gjatë një interviste në Vizion+, Limaj u shpreh se çështja nuk lidhej me individë të veçantë, por me strukturat shtetërore dhe organizimin e mbrojtjes kombëtare.
“Këtu nuk është problem individësh. Ka pasur njerëz tepër të përkushtuar për mbrojtjen e vendit. Si është e mundur që diaspora politike dhe ekonomike e arratisur jashtë vendit, edhe pse e mbështetur nga agjenci të huaja, nuk arriti të rrëzonte Partinë e Punës? Si është e mundur që shtetet kufitare apo edhe Bashkimi Sovjetik, pavarësisht planeve të tyre, nuk e realizuan një ndërhyrje direkte?”, tha ai.
Sipas Limajt, përgjigjja qëndron te ndërtimi gradual i strukturave të sigurisë kombëtare, të cilat, sipas tij, kishin kapacitet të lartë informativ dhe parandalues.
Ai pretendon se institucionet shqiptare arrinin të siguronin informacion në kohë reale për lëvizjet dhe planet e mundshme, duke i dhënë mundësi udhëheqjes së kohës të merrte masa parandaluese për neutralizimin e çdo skenari që konsiderohej kërcënim.
“Këtu nuk flitet për problem individësh. Këtu është problemi që bij atdhetarë kanë qenë tepër të përkushtuar për realizimin e mbrojtjes kombëtare. Si është e mundur që gjithë diaspora politke dhe ekonomike e arratisur jashtë shtetit, e mbështetur nga agjenci të huaja, nuk mundën rrëzimin e Partisës së Punës së Enver Hoxhës?
Si është e mundur që shtetet kufitare dhe Bashkimi Sovjetik kishin plane drejtëpërdrejt agresioni të Shqipërisë dhe nuk e realizuan? Përgjigjja është kjo: Shteti shqiptar pasi filloi ngritjen gradualisht ndërtoi strukturat më të sakta të sigurisë kombëtare. Pa u nisur te avioni, informacioni kishte ardhur në Tiranë, Shqipëria dinte gjithçka dhe parandalonte realizimin e misioneve të tyre.
Ne kishim fuqinë që merrnim informacion në kohën e duhur. Dhe udhëheqja shqiptare merrte masat e saj për t’i parandaluar”.