Inteligjenca amerikane: Putini mund të testojë NATO-n brenda vitit 2029
Shërbimet amerikane të inteligjencës vlerësojnë se Presidenti rus, Vladimir Putin, mund të testojë vendosmërinë e NATO-s me një sulm të kufizuar ndaj një vendi anëtar brenda viteve të ardhshme, duke shënuar një ndryshim nga vlerësimet e mëparshme se Moska do të shmangte çdo përballje të drejtpërdrejtë me Aleancën gjatë luftës në Ukrainë.
Sipas raportimit të Wall Street Journal, skenarët e shqyrtuar nga inteligjenca amerikane variojnë nga sulmet kibernetike dhe operacionet hibride me forca pa shenja identifikuese, deri te një inkursion i kufizuar tokësor.
Burime të cituara nga gazeta thonë se rreziku konsiderohet më i lartë në periudhën deri në vitin 2029.
Sipas vlerësimit, Putin mund të jetë më i prirur të marrë rreziqe, ndërsa Rusia përballet me presionin e sulmeve ukrainase në thellësi të territorit të saj, përparimin më të ngadaltë në fushëbetejë dhe pritshmëritë e brendshme për një fitore në luftë.
Raportimi lidh këtë vlerësim edhe me shqetësimet në rritje për rezervat e armëve të Shteteve të Bashkuara.
Sipas zyrtarëve të cituar nga Wall Street Journal, Washingtoni po përballet me mungesa të disa sistemeve kyçe të armatimit, përfshirë interceptorët Patriot dhe THAAD, raketat Stinger, raketat Precision Strike Missile (PrSM) dhe ATACMS.
Sipas raportimit, këto rezerva janë reduktuar pas viteve të ndihmës ushtarake për Ukrainën dhe përdorimit intensiv të municioneve gjatë operacionit amerikan “Epic Fury” kundër Iranit.
Megjithatë, Pentagoni dhe Shtëpia e Bardhë kanë kundërshtuar këto pretendime.
Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, i ka cilësuar raportimet për mungesa të municioneve si “të rreme”, ndërsa Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara disponojnë rezerva të mjaftueshme për të përmbushur të gjitha objektivat strategjikë.