Cili është Shërbimi Sekret më i mirë në Evropë?
Shërbimi Sekret i Inteligjencës i Mbretërisë së Bashkuar (MI6) është vlerësuar si agjencia më e fuqishme e inteligjencës në Evropë, sipas një ankete mes profesionistëve të sektorit nga 25 vende.
Sipas një vlerësimi të publikuar nga revista franceze L’Express, ku morën pjesë 60 ekspertë të inteligjencës, MI6 renditet në vendin e parë, i ndjekur nga agjencia franceze DGSE, shërbimi holandez AIVD, Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme i Ukrainës dhe agjencia gjermane BND.
Ish-drejtori i MI6, Sir Richard Dearlove, tha se rezultati nuk e surprizon.
“MI6 është, sinqerisht, organizata më e mirë e inteligjencës në Evropë”, u shpreh ai.
Sipas Dearlove, një nga avantazhet kryesore të shërbimit britanik është historia e tij e gjatë, që daton që nga viti 1909, si edhe aftësia për të mësuar nga gabimet dhe për të qenë i integruar ngushtë me institucionet shtetërore.
Anketa vlerëson veçanërisht aftësinë e MI6 për të rekrutuar agjentë në nivele të larta dhe për të depërtuar në vende si Rusia, Kina, Irani dhe Turqia.
Matthew Dunn, ish-oficer i MI6 dhe një nga kontribuuesit në studim, tha se procesi i përzgjedhjes së agjentëve mbetet një nga pikat më të forta të shërbimit.
“Ata kërkojnë një lloj të veçantë personi. Sot mund ta quanim ‘faktori X’”, tha ai.
Ndryshe nga e kaluara, kur kandidatët përzgjidheshin dhe kontaktoheshin drejtpërdrejt, tashmë kushdo mund të aplikojë online për t’iu bashkuar MI6.
Sipas ish-zyrtarëve, edhe imazhi i krijuar nga personazhi i James Bond ka ndihmuar në forcimin e reputacionit të shërbimit britanik.
Megjithatë, ata theksojnë se realiteti ndryshon shumë nga filmat.
“Do të donim të kishim makinat dhe jetën e James Bond-it, por puna e inteligjencës është kryesisht analizë informacioni dhe biseda me njerëz”, tha Philip Ingram, ish-oficer i lartë i inteligjencës në ushtrinë britanike.
Ai vlerësoi gjithashtu aftësinë e MI6 për të bashkëpunuar ngushtë me shërbimet partnere në mbarë botën, duke e cilësuar këtë si një nga arsyet kryesore të suksesit të tij.