16 Nëntor, 2026

I riu nga Tepelena poston foton e “frikshme” të Mirela Kumbaros dhe ka një mesazh për të

 I riu nga Tepelena poston foton e “frikshme” të Mirela Kumbaros dhe ka një mesazh për të

Nga Gabriel Guma

Përpara dritës së Zotit, errësira jote nuk ka fuqi!

Përpara kryqit të shenjtë, krenaria jote do të bjerë.

Përpara emrit të Krishtit, hesht!

In nomine Patris, et Filii, et Spiritus Sancti.

Amen.

Ky shkrim është për ty.

Për ty dhe për atë çka po i sjell qarkut tim. Atij vendi ku jetoj, ku jam rritur mes njerëzve të mi, ku kam ngritur dhe thurur ëndrrat e mia.

Do ta tregoj thjesht, pa u përpjekur të tingëlloj më intelektual sesa jam dhe pa u kompleksuar nga prania e disa figurave intelektuale që kam në profilin tim. Sepse besoj se disa të vërteta nuk kanë nevojë për një gjuhë të ndërlikuar për t’u kuptuar.

Jetoj me kohë jo të plotë mes Tepelenës, Luzatit, Ujit të Ftohtë dhe Gjirokastrës.

Me këto vende më lidhin shumë gjëra. Më lidhin kujtimet, njerëzit, përpjekjet, puna e përditshme dhe një ndjenjë përkatësie që nuk mund ta shpjegoj vetëm përmes vendbanimit.

PUNA – FISI – RRËNJËT.

Janë tri shtylla mbi të cilat kam ndërtuar një pjesë të madhe të identitetit tim.

Në secilin prej këtyre identiteteve përpiqem të përmirësohem, të kuptoj përgjegjësinë që mbart dhe të mësoj si të përballem me realitetin ku ndodhem.

Sepse njeriu nuk ka vetëm një identitet. Ai është njëkohësisht pjesë e familjes, e punës, e vendit nga vjen dhe e shoqërisë ku jeton. Dhe secili prej këtyre identiteteve kërkon prej tij një qëndrim.

Por ka diçka që më ka bërë të reflektoj.

Në pothuajse çdo vend ku bëhem i pranishëm, në secilin prej këtyre realiteteve, dëgjoj të përmendin ty.

Të dëgjoj në bisedat e njerëzve të zakonshëm, në pakënaqësitë e tyre, në historitë që tregojnë dhe në mënyrën se si përshkruajnë marrëdhënien e tyre me pushtetin.

Shpesh emri yt shqiptohet sikur të bëhej fjalë për një qenie misterioze, të largët, pothuajse të frikshme. Një prani që ndihet edhe atëherë kur nuk është fizikisht aty.

Dhe pikërisht kjo më shqetëson.

Jo sepse të konsideroj rivale politike.

Madje, në gjykimin tim, ti po shkon drejt fundit tënd politik.

Por sepse ajo që unë perceptoj në mënyrën se si ushtrohet pushteti yt është diçka që shkon përtej rivalitetit politik.

Është egoja personale.

Një ego që, kur merr pushtet, rrezikon ta ngatërrojë veten me institucionin, autoritetin me pronësinë dhe vullnetin personal me interesin publik.

Një ego që nuk kënaqet duke drejtuar, por kërkon të përcaktojë gjithçka.

Dhe këtu lind pyetja ime:

Për egon tënde, kush duhet ta mbajë barrën?

Tepelena?

Gjirokastra?

Fshatrat tanë?

Familjet që jetojnë e punojnë këtu?

Të rinjtë që përpiqen të ndërtojnë një të ardhme në vendin e tyre?

Apo një qark i tërë që nuk mund dhe nuk duhet të identifikohet me fatin politik të një individi?

Sepse qarku ynë nuk është pronë personale e askujt.

Nuk është trashëgimi pushteti, nuk është territor i një egoje dhe as skenë ku ambicia individuale mund të luajë pafundësisht me dinjitetin e njerëzve.

Unë nuk pretendoj të flas në emër të të gjithëve. Flas nga ajo që shoh, nga ajo që dëgjoj dhe nga përgjegjësia që ndiej ndaj vendit tim.

Dhe pikërisht sepse këtu kam rrënjët, nuk mund të jem indiferent.

Nuk dua të dëboj një njeri nga vendi im. Dua të shoh të dëbuar prej jetës sonë publike arrogancën, frikën dhe idenë se pushteti është i përjetshëm.

Sepse njerëzit kalojnë.

Pushtetet bien.

Por vendi ynë mbetet.

Dhe bashkë me të, mbeten pasojat e gjithçkaje që kemi lejuar të ndodhë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *