Gruaja që i ka mbyllur gojën Sali Berishës për Zvërnecin
Nga Andi Bora
Përse Partia Demokratike po hesht për Zvërnecin? Përse kryetari i saj Sali Berisha po del pro një investimi ndërkombëtar, ndërkohë që për Portin e Durrësit ishte kundër? Ku është diferenca këtë herë? Vetëm se është dhëndri i Donald Trump apo shkon deri në interesa personale përtej non grata-s?!
A ka diçka që do duhet ta dyshojmë bashkërisht? Cila mund të jenë lidhjet e fshehta që do duhen hetuar më thellë nga organi i akuzës SPAK?
Për orë me radhë kam bërë kërkime mbrëmë për të gjetur disa lidhje të vjetra dhe të reja që ndoshta kreut të PD-së, mund t’i mbyllin gojën.
Nisim me faktin se kush janë pronarët e tokave në Vjosë-Nartë (Zvërnec), që janë të interesuar për zhvillimin e zonës. Në total janë 1536 hektarë pronë private, kjo e bazuar në dokumentet zyrtare, Vlerësimi Strategjik i Mjedisit, viti 2021. Nuk di nëse dikush nga këta i kanë shitur tokat tek të tretë apo jo dhe cilat janë pjesët që kanë shitur!
1.Banka Credins, 600 hektarë
2.MABATEX Group & YDA-Group, 309 hektarë (Behgjet Pacolli)
3.Agna Sha, 240 hektarë (Vasil Naçi)
4.Sere Shpk, 20 hektarë (Samir Mane)
5.Adhenis shpk, 150 hektarë (Artur Shehu)
6.Gazmend Demi, 180 hektarë
7.Arjan Pelushi, 37 hektarë
Siç kuptohet, Banka Credins, rezulton pronare me sipërfaqen më të madhe të tokës private. Gjatë një takimi të zhvilluar me Grupet e Interesit, më 21 Korrik të vitit 2021, kjo bankë, ka pasur përfaqësinë e saj atë ditë, sipas fotos bashkëngjitur në shkrim.
Të hyjmë pak në brendësi të pronësisë së Bankës Credins. Kush janë aksionerët kryesore, ose ata që mbajnë peshëm më të madhe në përqindje!
Sipas të dhënave të publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, në 2026, aksionieri me 27.5%, është kompania BFSE Holding, e regjistruar në Amsterdam.
Pas një kërkimi të gjatë, më rezulton se pronarët e BFSE Holding janë katër, “ALAR CONSULTING” shpk, Dritan Pashako, “SHAGA” shpk dhe Edmond Jaupi.
ALAR CONSULTING, zotërohet 100% nga Astrit Hana, i cili zotëron pjesën më të madhe të aksioneve në BFSE Holding, prej 41%, pra më shumë se secili prej aksionerëve të tjerë, çka, indirekt kjo i jep atij edhe një peshë të madhe të aksioneve në Bankës Credins.
Por përtej kësaj, Astrit Hana, se bashku me djalin e tij, Arjan Hana, janë edhe aksionerë direkt të bankës me përqindje të vogla.
Në anën tjetër, Astrit Hana, vendos që vetëm pak ditë më parë, më 26 Maj 2026, t’i dhurojë të bijës së tij, Elvana Hanës një pjesë të aksioneve.
Ndërkohë, duhet të theksojmë se bashkëshorti i Elvana Hanës, është Maltin Korkuti, i cili zotëron mbi 2.2 % të aksioneve në këtë bankë.
Pra, çfarë kemi kuptuar deri këtu? Që Bank Credins zotëron 600 hektarë në Zvërnec. Aksionerët kryesorë janë familja Hana, me aksione direkte dhe kryesisht indirekte në Credins Bank.
Por kush është Elvana Hana dhe cila është lidhja me Berishët?
Në vitin 2012, në vigjilje të ndërrimit të viteve, deputeti socialist Taulant Balla, do të bënte këtë akuzë ndaj Sali Berishës dhe lidhjeve familjare të bashkëshortes së tij me Elvana Hanën, e cila dikur nën qeverisjen e Berishës ka mbajtur edhe postin e drejtoreshës së Institutit të Sigurimeve Shëndetësore.
Citim Balla:
….Por sot po ju tregojmë shqiptarëve që edhe të afërmit e brezit të parë të Sali Berishës qenkan edhe këta miliarderë. Daja i fëmijëve të Sali Berishës, Agim Rama, pasuri përrallore disa miliardë. Mbesa e bashkëshortes së Sali Berishës, drejtoresha e Institutit të Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, pasuri përrallore disa miliardë. Pra në familjen biologjike të Sali Berishës çdo anëtar i saj është miliarder.
Megjithëse, publikisht nuk është e vërtetuar që Elvana Hana të jetë mbesa e Liri Berishës, një tjetër lidhje del në pah me fondacionin që drejton zonja e Liderit të Demokratëve.
Elvana Hana, rezulton të jetë anëtare bordi në këtë Fondacion, i cili kujdeset për fëmijët autikë.
Referuar të gjitha lidhjeve të mësipërme, ngrihen dy pyetje gazetareske me shumë të drejtë besoj.
1.A lind heshtja e Sali Berishës si shkak i njohjeve dhe marrëdhenieve ndër vite, qoftë edhe familjare, me aksionerët kryesorë të Bankës Credins?
2.A ka familja Berisha interesa të fshehura në ndërtimin e këtij restorti në Zvërnec?
Përgjigjet nuk mund të na i jap dot Flamur Noka… Unë lutem për një përgjigje nga Doktori!