Franca e dekoroi, SPAK e vuri nën hetim: Çfarë ‘fshihet’ pas medaljes së Vlora Hysenit
Vetëm pak javë përpara se Vlora Hyseni të largohej nga drejtimi i Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH) dhe të vendosej nën masën e arrestit në shtëpi, Franca po e rendiste atë mes drejtuesve të huaj të Inteligjencës që meritonin një nga dekoratat e saj më të rëndësishme.
Në pamje të parë, dy ngjarjet nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën.
Por një investigim i publikuar të premten nga Intelligence Online, media franceze e specializuar në botën e shërbimeve sekrete, i jep një dimension tjetër dekorimit të Hysenit: medalja nuk ishte vetëm një nderim protokollar.
Ajo vinte në një kohë kur Parisi po përdor gjithnjë e më shumë dekoratat shtetërore si pjesë të diplomacisë së tij të sigurisë dhe të ndërtimit të marrëdhënieve me drejtuesit e shërbimeve partnere.
Dhe Hyseni kishte krijuar pikërisht një marrëdhënie të tillë me francezët.
“Ndodh që DGSE-ja (Agjencia Franceze e Inteligjencës së Jashtme) të jetë ajo që sugjeron emrin e drejtuesit të një shërbimi të huaj inteligjence për t’u dekoruar, në shenjë vlerësimi për një bashkëpunim që po funksionon mirë”, tha për Albanian Post Pierre Gastineau, gazetar i Intelligence Online dhe autor i investigimit.
Kjo nuk provon se propozimi për Hysenin erdhi nga DGSE-ja. Por shpjegon mekanizmin dhe, mbi të gjitha, peshën që mund të ketë një dekoratë e tillë brenda botës së inteligjencës.
Nga një dokument francez te një marrëdhënie strategjike
Albanian Post raportoi më 23 shtator se një dokument zyrtar francez i datës 10 gusht 2026 e përfshinte Hysenin mes personave të propozuar për gradën “Kalorës” të Urdhrit Kombëtar të Meritës.
Dokumenti, i publikuar nga Kancelaria e Madhe e Legjionit të Nderit, e identifikonte atë si drejtuese të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe me shtetësi kosovare dhe shqiptare.
Por lista tregonte edhe diçka tjetër: Hyseni nuk ishte e vetme.
Krahas saj shfaqeshin drejtues dhe zyrtarë të lartë të inteligjencës, sigurisë dhe mbrojtjes nga një numër vendesh.
Investigimi i Intelligence Online vendos tani këtë dokument në një kontekst shumë më të gjerë.
Sipas medias franceze, dhënia e Legjionit të Nderit apo Urdhrit Kombëtar të Meritës drejtuesve të huaj të inteligjencës është një traditë e vjetër franceze.
Por përkeqësimi i situatës gjeopolitike dhe kërkimi për aleanca të reja strategjike po e përshpejtojnë ndjeshëm këtë praktikë.
Ministria franceze e Punëve të Jashtme është institucioni përgjegjës për dekorimin e shtetasve të huaj.
“Është Ministria franceze e Punëve të Jashtme që është përgjegjëse për dhënien e dekoratave për të huajt, më shpesh për personelin ushtarak dhe politikanët sesa për burrat dhe gratë e shërbimeve të inteligjencës”, shkruan Intelligence Online.
Dekretet për dekoratat e 10 gushtit u publikuan në fillim të shtatorit.
Hyseni dhe francezët
Rëndësia e rastit shqiptar qëndron edhe te marrëdhëniet që Hyseni kishte krijuar gjatë drejtimit të SHISH-it.
Intelligence Online kishte raportuar që në shtator të vitit 2025 për rolin në rritje të shërbimit shqiptar në çështjet e sigurisë evropiane dhe për profilin ndërkombëtar që Hyseni po ndërtonte.
Media e përshkruante SHISH-in si një shërbim relativisht të vogël, por të përfshirë në disa prej sfidave të mëdha të sigurisë së Evropës.
Hyseni kishte punuar ngushtë me partnerët amerikanë dhe izraelitë, por, sipas raportimit të ri, kishte ndërtuar gjithashtu marrëdhënie të forta pune me homologët e saj francezë.
Në të njëjtën ceremoni me të u nderua edhe Kristinne Grygorian, drejtuesja e Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Armenisë, një institucion që Parisi e sheh si partner të rëndësishëm në Kaukaz.
Më 10 gusht u dekoruan gjithashtu drejtues apo zyrtarë të lartë të sigurisë nga Polonia, Rumania dhe Lituania.
Për Intelligence Online, kjo valë dekorimesh ilustron një zhvendosje më të gjerë të diplomacisë franceze të sigurisë drejt Lindjes.
Në këtë panoramë, dekorimi i drejtueses shqiptare merr një kuptim që shkon përtej ceremonialit.
Pastaj erdhi SPAK
Kontrasti është i fortë.
Pak më shumë se një muaj pas dekretit francez, Gjykata e Posaçme caktoi ndaj Hysenit masat “arrest në shtëpi” dhe “pezullim nga ushtrimi i detyrës”, pas kërkesës së SPAK-ut, në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025.
Ajo është person nën hetim për vepra penale që lidhen me përkrahjen e autorit të krimit dhe zbulimin e akteve ose të dhënave sekrete.
Caktimi i masës së sigurisë nuk përbën shpallje fajësie dhe përgjegjësia penale mbetet për t’u përcaktuar nga drejtësia.
Vetë Hyseni, sipas raportimeve mbi seancën gjyqësore, i ka mohuar akuzat.
Zhvillimet kanë ngritur ndërkohë pyetje edhe për atë që mund të ketë ndodhur brenda SHISH-it dhe për eventualitetin e dëmtimit të funksionimit të institucionit.
Kreu i Komisionit parlamentar të Sigurisë, Bledi Çuçi, deklaroi më 30 shtator se SHISH po kryen një auditim të thelluar për të verifikuar nëse çështja ka sjellë pasoja për institucionin dhe se pas përfundimit të tij pritet një tjetër mbledhje e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Në media janë publikuar gjithashtu pretendime se drejtues të tjerë të SHISH-it mund të merren në pyetje nga SPAK.
Albanian Post iu drejtua zyrtarisht Prokurorisë së Posaçme për informacion mbi veprimet hetimore. SPAK nuk konfirmoi dhe as mohoi raportimet konkrete.
“Bazuar në nenet 103 dhe 279 të Kodit të Procedurës Penale, veprimet hetimore që kryhen në fazën e hetimit paraprak përbëjnë sekret hetimor”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Posaçme për Albanian Post.
Për këtë arsye, shtoi SPAK, nuk mund të bëhen publike “veprimet hetimore apo rezultatet e tyre”.
Medaljet dhe drejtësia
Rasti i Hysenit prodhon kështu një ironi që nuk i ka shpëtuar as medias franceze.
Dekorata dëshmonte marrëdhënien e krijuar me partnerët ndërkombëtarë, por nuk ofronte asnjë mburojë ndaj zhvillimeve të mëvonshme gjyqësore.
“Është e qartë se marrja e një dekorate nga Republika Franceze nuk garanton trajtim të butë nga sistemi i drejtësisë i vendit”, shkruan Intelligence Online.
Kjo është veçanërisht domethënëse sepse një pjesë tjetër e hetimit shqiptar ka një gjurmë franceze.
Sipas Intelligence Online, Ermal Beqiri, i lidhur me biznesmenin Ergys Agasi, ishte bërë objekt i një hetimi të përbashkët financiar franko-shqiptar pas arrestimit të tij në Francë në fund të korrikut.
Autoritetet shqiptare më pas u kanë kërkuar homologëve francezë sekuestrimin e pasurive të Beqirit në Francë, të cilat, sipas medias franceze, përfshijnë një château, dy apartamente dhe disa milionë euro në llogari bankare.
Tirana po kërkon gjithashtu ekstradimin e tij.
Kështu Franca shfaqet në dy skaje krejt të ndryshme të së njëjtës histori.
Në njërin, shteti francez nderonte drejtuesen e inteligjencës shqiptare në kuadër të një marrëdhënieje që Parisi e konsideronte të vlefshme.
Në tjetrin, autoritetet franceze po bashkëpunojnë me drejtësinë shqiptare në një hetim, fijet e të cilit kanë mbërritur deri te ish-drejtuesja e SHISH-it.
Për Hysenin, distanca mes këtyre dy momenteve ishte vetëm pak javë.
Për marrëdhëniet mes shërbimeve sekrete, historia është më e gjerë: medaljet mund të tregojnë se kujt i besohet në një moment të caktuar.
Por ato nuk janë certifikata imuniteti – dhe, siç tregon rasti shqiptar, aleancat e inteligjencës dhe hetimet penale mund të përfundojnë duke ndjekur rrugë krejtësisht të ndryshme.