Erion Braçe dhe hipokrizia e deputetëve të PD, që i kërkojnë llogari atij
Nga Ergys Mërtiri
Të gjithë merren me Braçen, por realisht ka diçka shumë më keqe se vota e tij.
Kemi Edi Ramën që kërcënon deputetët se kush nuk voton përjashtohet, duke na treguar paturpsisht se ata nuk përfaqësonë vullnetin e popullit, por vullnetin e shefit.
Një kryeministër që mundohet ti mbajë rreth vetes me dhunë njerëzit e vet, ka mbaruar. Ai nuk mund të jetë më një lider, por një dordomuz që pushtetin e mban nëpërmjet frikës dhe jo ideve, parimeve apo karizmës.
Por kemi gjithashtu të gjithë grupn parlamentar të PS-së që qep gojën dhe nuk ia mban kujt të thotë gjysëm fjale. Nga ky aspekt, Erion Braçe është më i miri në pusetën parlamentare të asaj partie.
Por nga ana tjetër kemi Sali Berishën që ndërsa çirret e tërbohet për mungesën e demokracisë në PD, vetë nuk lejon as gjysëm fjale në partinë e tij.
Njërin që pati guxim të thotë disa të vërteta që i thotë i gjithë populli (Ervin Salianji), e vetpërjashtoi me akuza qesharake, si bashkëpunëtor me të gjithë armiqtë e PD-së dhe Shqipërisë.
Është cinike gjithashtu të shohësh deputetët e PD-së ti sulen me egërsi e përçmim Erion Braçes pse nuk gjeti kurajën të votojë kundër shefit të vet.
Pikërisht këta që dridhen e përdridhen para një plaku të mbaruar që vazhdojnë ta mbajnë për shef, e nuk thonë gjysëm fjalë as kur ai humb me 300 mijë vota minus, e as kur shkel në mënyrë flagrante statutin që vetë e ka hartuar, sipas të cilit, kur pas zgjedhjeve PD nuk vjen në pushtet, kryetari largohet automatikisht.
Madje kërcejnë edhe vallen e Saliut për vit të ri, duke dëshmuar servilizmin e pakompromis, ndërsa i tregojnë dhëmbët kujtdo që matet të shprehë ndonjë kritikë për të.
Për fat të keq realiteti na dëshmon çdo ditë se çfarë servilësh pa dinjitet kemi për përfaqësues të popullit, të nënshtruar ndaj dy njerëzve të mbaruar, krejtësisht të pabesueshëm, që mbajnë peng politikën shqiptare.