21 Maj, 2026

Elisës (s)ka kush t’i shkruajë

 Elisës (s)ka kush t’i shkruajë

Nga Urim Tusku

Ditën e djeshme, në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, veç diskutimeve të shumta, ka pasur një kritikë të fortë të Kryeministrit Edi Rama në adresë të Elisa Spiropalit, madje si paralajmërim i prerë për largim nga grupi, nëse Spiropali vazhdonte të kritikonte pushtetin socialist.

Ky reagim i fortë i kryeministrit vjen pas qendrimeve të mbajtura në publik nga zonja Spiropali, e cila menjëherë pas largimit nga posti si Ministre e Jashtme, ka ngritur një sërë shqetësimesh, me kritika të buta, për mënyrën sesi po e drejton vendin qeverisja aktuale. Këto kritika janë hedhur në murin e saj në facebook, por media e etur për zera kritikë brenda mazhorancës, i ka dhënë një jehonë të madhe.

Duket sikur Spiropali, të paktën kështu e interpretojnë socilistët e thjeshtë, idealistët e pa veshur me pushtet përgjatë ketyre 13 viteve, ka marrë në dorë skeptrin e parimësisë dhe po ngre probleme të prekshme për çdokënd. Por përgjatë këtyre viteve, për këto probleme Spiropali ka heshtur, sepse pushteti ia errëson shikimin edhe njeriut më parimor.

Ajo (si çdokush që ka një fibër parimore) ka humbur rolin e të qenit dorëjashtë përgjatë këtyre viteve, kur ka ndodhur arroganca, abuzimi me pushtetitin, mbizotërimi i njëshit, madje nuk ka kursyer as elozhet më emblematike, çka i ka zbehur disi edhe seriozitetin e artikulimit publik. Se në fund të fundit çdo qëndrim e ka një kosto.

Ditën e djeshme, teksa Kryeministri e kritikonte , nuk ka pipëtirë askush, madje, ka zëra që Elisa dukej shumë e vetmuar. Përndryshe nga “rivalja” e saj Belinda Balluku, e cila ishte e rrethuar nga grupi i deputetëve të qarkut të Fierit, madje ishte kujdesur për këtë detaj për ta shfaqur edhe në rrjetet sociale.

Në atë parti dhe në çdo parti shqiptare fundja, është traditë, që askush nuk flet kur i bëhet gjyqi ndokujt për qendrime parimore. Kështu ka ndodhur me Blushin, me Bushatin etj., kanë  heshtur, duke iu gëzuar postit.

Elisën e dëgjojnë socialistët e thjeshtë, ata që në krye të herë kanë pasur si yll polar jo pragmatizmin, por besimin e të mirës së përgjithshme, ata që kanë besuar se çrrenjosja e së keqes, e varfërisë, e abuzimit me pushtetin e sundimit të të fortit ndaj të dobëtit, mund ta rregullojë vetëm PS.

Këta janë edhe njerëzit që e mbështesin Elisa Spiropalin, janë këta, një armatë jo r vogël, të cilët i shkruajnë dhe i japin mbështetje dhe solidaritet të vazhdueshëm në qendrimet e saj kritike ndaj qeverisë. Po a mjaftojnë këta për t’u kthyer në ortek, që përmbysin ngrehinën e kësaj qeverisje, kjo ngelet për t’u parë!

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *