10 Tetor, 2026

Edi Rama e vrau përfundimisht dje PS-në

 Edi Rama e vrau përfundimisht dje PS-në

Nga Gjergj Erebara

Ajo që ndodhi mbrëmë është që Edi Rama u detyrua të vrasë edhe të fundit gjë që pati mbetur politike në Partinë Socialiste me qëllim që të votonte një reformë që, në kuadrin e përgjithshëm të gjërave, është e parëndësishme.

Partia Socialiste, si rrjedhojë e kulturës leniniste që ka trashëguar (e vlefshme kjo edhe për PD-në), është zakonisht një makinë grirëse që gëlltit njerëz të ndryshëm për t’i futur në të njëjtën salsiçe të pangrënëshme.

Megjithatë, populizmi i Erjon Braçes gjatë viteve të fundit dhe nonsenset e Elisa Spiropalit në muajt e fundit, kanë shërbyer si një fasadë, sado e hollë, për të maskuar makinën e mishit.

Që nga mbrëmë, edhe kjo fasadë ra. Braçe nuk del dot më të qajë hallet e fermerit të Divjakës sepse ka humhur autonominë politike ndërsa Spiropali nuk ka çfarë platforme hapjeje të diskutojë sepse, në ditën që deklaroi: “nuk jemi kartona!”, votoi si karton.

PS ka qenë e vdekur politikisht që nga viti 2008. E vetmja gjë që mbahet mend që nga ajo kohë ka qenë lëvizja dumbabiste e Petro Koçit. Por mbrëmë në qivurin e saj politik u ngul gozhda e fundit.

PS është sot thjeshtë dhe pastër një grup interesi pa kurrfarë lidhjeje me politiken si instrument i veprimit shoqëror.

Sa i përket “reformës”, demokracia vendore është vrarë dhe pushteti vendor duhet të rindërtohet nga e para, me fshat dhe me lagje si qendra politike dhe ente juridike dhe administrative, si instrumentet e domosdoshme të politikës që vjen nga poshtë përkundrejt ushtrimit të pushtetit, që vjen nga sipër.

Shihemi në shesh për të ndërtuar një Shqipëri politike.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *