Edi Rama darkon në shtëpinë e avokatit të njohur shqiptar në Miçigan
Kryeministri Edi Rama dhe delegacioni shqiptar që e shoqëron gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë darkuar mbrëmjen e djeshme në shtëpinë e familjes së madhe shqiptare Dedvukaj në Detroit, Miçigan.
Avokati i shquar shqiptar atje, Joseph Dedvukaj, ka hapur dyert e shtëpisë për kryeministrin dhe stafin e tij, i cili përfshinte ministrin Ferit Hoxha, kryebashkiakun Pjerin Ndreu, socialistin Blendi Klosi e shumë të tjerë.
“Ishte nder për mua dhe familjen time të prisnim Kryeministrin Edi Rama në shtëpinë tonë për darkë. Ju falënderojmë, zoti Kryeministër, që pranuat ftesën tonë dhe e ndatë me ne këtë mbrëmje të veçantë.
Mbledhja rreth tryezës sonë ishte një kujtesë domethënëse e rrënjëve tona shqiptare, e traditës sonë të mikpritjes dhe e lidhjeve që na bashkojnë përtej kufijve e brezave.
Shtëpia jonë ndodhet në Miçigan, por dashuria për Shqipërinë është gjithmonë me ne. Kjo është një mbrëmje që familja jonë do ta ruajë me dashuri në kujtimet e saj”, shkruan avokati Joseph Dedvukaj teksa ndan një fotogarfi familjare me kryeministrin Edi Rama.
Joseph Dedvukaj është një avokat shqiptar i njohur në nivel kombëtar për aksidentet me makina dhe kamionë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjatë karrierës më shumë se 30 vjeçare, ka siguruar më shumë se 350 milionë dollarë përmes vendimeve gjyqësore dhe marrëveshjeve për dëmshpërblim.
Në rrethet profesionale, Dedvukaj njihet gjerësisht për stilin e tij agresiv të të gjykuarit në gjykatë, komunikimin e qartë dhe kërkimin e paepur të kompensimit të plotë për klientët e tij. Megjithatë, përtej fitoreve në gjyq, ajo që e përcakton vërtet Joseph Dedvukajn është afërsia e tij me njerëzit të cilëve u shërben.
Gjatë darkës së djeshme, avokati ka mbajtur dhe një fjalim të shkurtër mirëseardhje për kryeministrin Edi Rama dhe stafin që e shoqëronte, duke i përsëritur thirrjen se Shqipëria është më e fortë kur diaspora është pranë saj, dhe diaspora është më e fortë kur atdheu nuk na harron.
Mbrëmja ka kaluar me biseda, humor dhe plot batuta. Sapo avokati, si i zoti i shtëpisë ka mbyllur fjalën dhe ka bërë gëzuar me kryeministrin e të tjerët, Edi Rama u kthye për një çast nga fundi i tryezës dhe pasi pa gotat e disa prej të pranishmëve bosh, tha me humor që t’i mbushnin me ujë sepse ndryshe kot që bënin gëzuar.
“Nder e lavdi kjoft ky bashkim!
Zoti Kryeministër Edi Rama, mirë se erdhët në shtëpinë time.
Në traditën tonë, shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut. Sonte, kjo shtëpi është e juaja.
Shumica prej nesh rreth kësaj tryeze i kanë rrënjët në trojet shqiptare — në ato fshatra ku familjet kishin pak, por e mbanin fjalën, besën dhe emrin e tyre. Prindërit tanë i sollën këto vlera këtu, edhe pse nuk kishin pothuajse asgjë tjetër me vete. Punuan, ndërtuan dhe i rritën fëmijët e tyre në një gjuhë që nuk pranuan të zhduket.
Shqipëria ka ndryshuar më shumë gjatë jetës suaj dhe times sesa në shumë shekuj më parë. Por një gjë nuk ka ndryshuar: Shqipëria është më e fortë kur diaspora është pranë saj, dhe diaspora është më e fortë kur atdheu nuk na harron.
Kjo mbrëmje është dëshmi e të dyjave.
Zoti Kryeministër, ju falënderoj që sonte jeni në tryezën tonë. Me praninë tuaj na nderoni.
Gëzuar!
Rrnoftë Shqipëria”, shprehet avokati i shquar shqiptar në Detroit, Joseph Dedvukaj.