21 Maj, 2026

Dosjet për alienët: Thjesht na tregoni anijet kozmike

 Dosjet për alienët: Thjesht na tregoni anijet kozmike

Nga Adam Frank, The Atlantic

Anije kozmike. Kjo është gjithçka që po kërkoj. Vetëm një anije kozmike të vërtetë. Do të pranoja edhe një trup alieni të vërtetë — më kanë thënë se qeveria ka edhe të tillë.

Në vend të kësaj, “dosjet aliene” të para, të publikuara dje, duken si e njëjta histori e vjetër: rrëfime, por pa prova konkrete — sigurisht jo të llojit që do të doja të shihja si shkencëtar, apo që do të mund të çonin përpara debatin mbi UFO-t dhe lidhjen e tyre me alienët.

Jam i zhgënjyer.

Kishte shumë pritshmëri përpara këtij publikimi. Vetëm pak muaj më parë, ish-presidenti Barack Obama nxiti spekulime të shumta me një koment të keqinterpretuar mbi ekzistencën e jetës jashtëtokësore. Për të mos mbetur pas, presidenti Donald Trump postoi në rrjetet sociale se do të urdhëronte publikimin e “dosjeve qeveritare lidhur me jetën aliene dhe jashtëtokësore, fenomenet ajrore të paidentifikuara (UAP) dhe objektet fluturuese të paidentifikuara (UFO)”.

Unë jam astrofizikan dhe puna ime përfshin kërkimin e jetës inteligjente në kozmos. Isha skeptik, por edhe i intriguar nga mundësia që më në fund të merrnim prova shkencore se jashtëtokësorët ekzistojnë dhe po vizitojnë rregullisht planetin tonë.

Por kjo nuk ndodhi.

Ajo që kam parë deri tani nga faqja ku janë publikuar dokumentet duket si më shumë imazhe të paqarta dhe rrëfime të tërhequra nga njerëz të zakonshëm apo pjesëtarë të ushtrisë që kanë parë “diçka”. Disa dokumente, për të cilat Pentagoni tha se do të vazhdojnë të publikohen çdo disa javë, datojnë prej dekadash më parë.

Një imazh i një objekti oval argjendi, një “mbivendosje grafike” e një punonjësi të FBI-së mbi një fotografi fushe për të ilustruar dëshmitë e dëshmitarëve okularë, është pothuajse qesharak në thjeshtësinë e tij. Fotografitë me rezolucion të ulët të objekteve fluturuese nuk mund t’i përgjigjen pyetjes ekzistenciale mbi jetën aliene.

Historia e UFO-ve dhe pretendimeve për komplote qeveritare që fshehin origjinën e tyre aliene shkon deri te incidenti i Roswell-it në fund të viteve 1940, kur raporti i parë për UFO u bë titull kombëtar.

Më pas, në vitin 1956, Edward Ruppelt, një kapiten i Forcave Ajrore që drejtoi studimet e hershme mbi UFO-t, publikoi një libër ku pretendonte ekzistencën e një dokumenti sekret të quajtur “Estimate of the Situation”. Sipas tij, raporti përfundonte se UFO-t kishin origjinë jashtëtokësore. Por asnjë version i atij dokumenti nuk është gjetur ndonjëherë.

Megjithatë, pretendimet e tij hapën rrugën për dekada të tëra teorish konspirative mbi UFO-t dhe qeverinë. UFO-t u kthyen në sinonim të diçkaje “të çuditshme”, aq sa lidhja e gabuar mes UFO-ve dhe kërkimeve shkencore për inteligjencën jashtëtokësore gati sa nuk shkatërroi të gjithë kërkimin qeveritar në këtë fushë.

Më pas, në vitin 2017, The New York Times publikoi një investigim të detajuar mbi programin e Pentagonit të quajtur AATIP, i krijuar për studimin e UFO-ve, tashmë të riemërtuara si “fenomene ajrore të paidentifikuara”.

Së bashku me artikullin u publikuan edhe dy video të filmuara nga avionë luftarakë të Marinës amerikane. Në to shfaqeshin objekte të paqarta që disa pretendonin se lëviznin në mënyra që asnjë mjet tokësor nuk mund t’i realizonte.

Papritur, njerëz seriozë nisën ta merrnin seriozisht mundësinë e mjeteve aliene. Kishte nisur epoka moderne e “zbulimit”.

Videot ishin intriguese dhe unë isha i lumtur që pilotët mund të flisnin pa frikë. Por dëshmitë personale janë forma më e dobët e provës shkencore. Shumë studime tregojnë se njerëzit shpesh kanë vështirësi të kujtojnë saktë detajet, edhe kur duan të tregojnë të vërtetën.

Sa për videot, sa më shumë i studioja, aq më problematike dukeshin nga pikëpamja shkencore. Ato ishin fragmente pa kontekst, jo materiale që mund të përdoren për një hetim serioz shkencor mbi një zbulim historik.

Madje, shumë nga lëvizjet e objekteve në video mund të shpjegohen nga lëvizja e kamerave ose efekte të tjera optike.

Në fakt, objekti në videon “GOFAST”, që mbështetësit e teorive aliene pretendonin se po fluturonte mbi oqean me shpejtësi të jashtëzakonshme, më vonë rezultoi të ishte një objekt që lëvizte mijëra metra në ajër me rreth… 64 kilometra në orë.

Kjo quhet tullumbace.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *