21 Maj, 2026

Dikur i recitonte poezi në zyrë, Berisha sulmon Grida Dumën

 Dikur i recitonte poezi në zyrë, Berisha sulmon Grida Dumën

Ish-kryeministri Sali Berisha nga protesta e shtatë e forcës politike që ai drejton i ka dërguar një “mesazh” të tërthortë ish-deputetes së Partisë Demokratike dhe tashmë moderatores së “Top Story”, Grida Duma, pas përplasjes së kësaj të fundit në studio me ish-kolegun e saj Alfred Lela.

Ndonëse nuk e përmendi drejtpërdrejt episodin e ndodhur mbrëmjen e së premtes, ku Duma e përzuri Lelën nga studio pas një debati të ashpër dhe ofendimeve, Berisha sulmoi mediat duke i cilësuar si të kapura nga qeveria e kryeministrit Edi Rama.

“Banalistë, sahanlëpirës të shumtë të regjimit kanë vërshuar në studiot e mediave të kontrolluara nga Rama me tezën se opozita shqiptare nuk ka fuqinë e opozitës së Hungarisë…”, u shpreh Berisha, duke vijuar me akuza për manipulim të opinionit publik dhe mbrojtje të qeverisë.

Ai theksoi se krahasimet me Hungarinë janë të padrejta, duke renditur një sërë faktorësh që sipas tij e vendosin opozitën shqiptare në kushte më të vështira, si arrestimi i liderit të opozitës në vit zgjedhor, si dhe ndikimi i krimit në zgjedhje në disa qytete të vendit.

Madje Berisha përmendi edhe marrjen e vulës së logos e cila sipas tij është bërë me urdhër të Edi Ramës, ndërkohë që personat të cilët luftonin përballë ti për selinë blu sot janë krah tij në parti.

Pjesë nga fjala e Sali Berishës:

Banalistë, sahanlëpirës të shumtë të regjimit kanë vërshuar në studiot e mediave të kontrolluara nga Rama me tezën se opozita shqiptare nuk ka fuqinë e opozitës së Hungarisë, e cila solli rotacionin pas 16 vitesh pushtet. Por, miqtë e mi, ka një lëshim thelbësor midis opozitës në Hungari dhe Shqipëri që nuk e përmend fare mafia e zezë e fjalës së lirë, e cila trillon, manipulon, mashtron 24 orë mbi 24 orë, 7 ditë në javë, opinionin publik për të mbrojtur padrinon e tyre, regjimin që i ushqen, për t’ju dëshpëruar ju krahasojnë të pakrahasueshmen.

Në Hungari nuk u arrestua ndonjëherë lideri i opozitës në vitin zgjedhor, siç ndodhi në Shqipëri, nuk u mor vula dhe logoja e partisë kryesore opozitare me urdhër politik, siç bëri Edi Rama në Shqipëri, në qytetet e Hungarisë votën e qytetarëve nuk e kontrolluan kartelet më të mëdha dhe të rrezikshme të drogës siç e kontrolluan ato votën në qytetet e Shqipërisë, në Durrës, Elbasan, Fier, Shkodër e miliardat e tyre të krimit.

Në zgjedhjet në Hungari qeveria nuk fali gjobat dhe kamatat e 10 viteve prej 2 miliardë eurosh dy ditë para zgjedhjeve, siç bëri diktatori i Tiranës në zgjedhjet e fundit; në Hungari mediat ishin të rreshtuara në anën e opozitës dhe TikTok nuk u bllokua, kurse në Shqipëri, në narkoshtetin e parë dhe të vetmin në Europë, 90% e mediave kontrollohen nga Edi Rama dhe mbjellin çdo ditë trillime dhe mashtrime për opozitën; atje TikTok nuk u bllokua si këtu. Së fundmi, dua t’ju kujtoj, të dashur miq, ju dhe mbarë shqiptarët, se në Hungari ministri i Drejtësisë, madje edhe vetë presidenti i Republikës, të gjendur para një akti të konsideruar si skandal nga shoqëria e atij vendi, falja që i bënë një krimineli që nuk duhej falur, dha dorëheqjen brenda 5 orëve dhe u paraqitën para drejtësisë, kurse në Shqipëri Lubi me afera që arrijnë në 1.2 miliardë euro dhe Edi Rama bashkëaksioner në 62% të këtyre aferave.

Edi Rama, ja ku jemi këtu për të dhënë fjalën e nderit, për t’u betuar se kurrë ne nuk mbyllim çështjen tënde dhe fundi yt do të jetë para gjykatës. Ndaj dhe në këto kushte krejt të ndryshme më duhet të pohoj se ne, opozita shqiptare, kemi bërë dhe kemi bërë sakrifica të shumta dhe të mëdha, ndoshta edhe më të mëdha se çdo opozitë tjetër në Europë, për të mbrojtur lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve; ne do të qëndrojmë të pamposhtur në këtë mbrojtje. Atyre që për të sulmuar opozitën dhe për të mbrojtur krimin, iu them se nuk duhet të harroni se u nis një sulm ndaj nesh me qëllim për të na asgjësuar, për të na fshirë nga harta politike e Shqipërisë dhe kjo vetëm e vetëm se ne në opozitë, me sakrifica, me dhunë e terror, nuk mund të pranonim kurrë e kurrës shkrirjen me qeverinë e krimit, nuk mund të pranonim kurrë e kurrës të jemi fasadë e opozitës dhe prandaj jam këtu që t’ju them shqiptarëve që do të qëndroj i pamposhtur ndaj dhunës së kësaj qeverie.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *