21 Maj, 2026

“Chat GDP”: Lapsusi që flet më shumë se fjalimi

 “Chat GDP”: Lapsusi që flet më shumë se fjalimi

Nga Vitjon Nina

Ka diçka pothuajse poetike në mënyrën se si politika shqiptare prodhon personazhe që duan të duken më të mëdhenj se sa janë – dhe pastaj rrëzohen nga një detaj i vogël, një lapsus, një shkronjë më pak ose më shumë.

Në këtë rast, jo thjesht një shkronjë, por një koncept i tërë: nga Inteligjenca Artificiale, te ekonomia.

Zegjine Çaushi doli në foltoren e Kuvendit me një mision të qartë: të godiste Klevis Balliun, duke e akuzuar se fjalimet e tij janë të shkruara nga ChatGPT.

Një akuzë që në vetvete nuk është më as akuzë – në vitin 2026, është pothuajse standard pune.

Por problemi nuk ishte te ideja. Problemi ishte te shqiptimi.

“Chat GDP”!

Një rrëshqitje që në çdo vend tjetër do të kalonte si një gafë e zakonshme. Në Shqipëri, ajo bëhet menjëherë metaforë. Sepse nuk është vetëm një ngatërrim termash. Është një përplasje botësh: teknologjia me ekonominë, algoritmi me prodhimin e brendshëm bruto, ChatGPT me GDP-në.

Në një farë mënyre, ishte një moment i sinqertë. Ndoshta më i sinqerti i gjithë replikës, apo edhe ‘karrierës së Zegjinesë’.

Sepse aty ku synohej të ironizohej përdorimi i Inteligjencës Artificiale, u zbulua diçka tjetër: një marrëdhënie e paqartë me vetë konceptet që përdoren për të bërë politikë moderne.

Nuk është hera e parë që Zegjine Çaushi bëhet virale për arsye të gabuara. Dhe ndoshta nuk do të jetë as e fundit. Ironia e kësaj historie është diku tjetër.

Pak para se të shkruaja këtë tekst, e pyeta ChatGPT-në: “Kush është Zegjine Çaushi”?

Përgjigjja nuk ishte e menjëhershme. Kishte një hezitim, një mjegull. Sikur edhe vetë algoritmi po kërkonte në kujtesë: a është kjo një figurë që duhet ta njoh? Apo është thjesht një emër që kalon shpejt në kronikën e ditës?

Dhe ja ku jemi.

Një deputete që akuzon një tjetër për përdorimin e ChatGPT-së – ndërsa vetë ChatGPT duhet të bëjë një përpjekje për ta identifikuar.

Një përpjekje jo shumë e ndryshme nga ajo që bën publiku çdo ditë: kush janë këta njerëz që flasin në emrin tonë?

Në fund, “Chat GDP” mbetet më shumë se një lapsus. Është një simbol i një politike që përpiqet të tingëllojë bashkëkohore, por shpesh ngec në përkthim. Një politikë që flet për Inteligjencë Artificiale pa qenë plotësisht në paqe me inteligjencën e vet – qoftë ajo artificiale apo jo.

Dhe ndoshta, në mënyrë të pavetëdijshme, Zegjine Çaushi tha diçka më të vërtetë se sa mendonte.

Sepse në fund të ditës, në Kuvendin shqiptar, nuk është e qartë nëse kemi më shumë nevojë për ChatGPT – apo për pak më shumë “GDP” në nivelin bazë të arsyetimit.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *