Bulevardi si For You Page – Pse kjo lloj proteste, nuk e rrezikon pushtetin e Ramës
Nga Altin Dangëllia
Protestën po e mban në këmbë e njëjta frymë që sot mban gjallë rrjetet sociale dhe platformat digjitale si TikTok-u. Forca e saj nuk buron nga një figurë qendrore, nga një lider karizmatik apo nga një grup i vogël drejtues, por nga ndjesia e barazisë mes pjesëmarrësve.
Protesta vazhdon të mbetet e madhe në numër pikërisht sepse ende nuk ka dalë dikush dukshëm mbi të tjerët. Askush nuk është vendosur në një piedestal dhe askush nuk është pranuar si zëri i vetëm që përfaqëson të gjithë. Në këtë kuptim, ajo funksionon sipas të njëjtit parim që ka bërë të suksesshme platformat sociale të kohës sonë: vlera nuk qëndron te hierarkia, por te pjesëmarrja.
Ashtu si në rrjetet sociale, ku teorikisht fjala e secilit ka të njëjtën mundësi për t’u dëgjuar, edhe në protestë secili ndihet i barabartë me tjetrin. Nuk kërkohet status, pozitë, eksperiencë apo ndonjë autoritet i veçantë për të qenë pjesë e saj. Ajo është si një platformë e thjeshtë, një skelë e ngritur në mes të sheshit, ku nuk duhet të kalosh asnjë filtër për t’u ngjitur. Mjafton guximi për të dalë përpara dhe bindja se ke diçka që vlen të thuhet.
Kjo prek një dëshirë të thellë njerëzore. Ne duam të dëgjohemi. Duam të dimë se zëri ynë ka peshë dhe se nuk jemi më pak të rëndësishëm se të tjerët. Në këtë kuptim, barazia është një vlerë e madhe. Edhe Bibla pohon se të gjithë njerëzit mbajnë të njëjtin dinjitet si mbajtës të shëmbëlltyrës së Perëndisë.
Por Bibla njeh po aq qartë edhe një të vërtetë tjetër: barazia në vlerë nuk do të thotë barazi në rol apo përgjegjësi. Në të gjithë historinë biblike, Perëndia ngre gjykatës, profetë, mbretër, apostuj dhe barinj për të udhëhequr popullin e Tij. Dinjiteti është i përbashkët për të gjithë, por përgjegjësia nuk shpërndahet njësoj. Hierarkia nuk paraqitet si e keqe në vetvete; e keqe është vetëm kur ajo kthehet në shtypje apo abuzim.
Prandaj ekziston rreziku që dëshira e shëndetshme për barazi të shndërrohet në një alergji ndaj çdo forme autoriteti. Kur askush nuk pranon të jetë mbi askënd, atëherë askush nuk mund të mbajë përgjegjësi për askënd. Në atë moment barazia pushon së qeni forcë organizuese dhe bëhet pengesë për organizimin.
Por pikërisht kjo është edhe kufizimi i protestës. Për aq kohë sa ajo mbetet një grumbullim zërash të barabartë, pa fytyra të identifikueshme dhe pa një drejtim të qartë, ajo nuk përbën një sfidë reale për pushtetin. Kryeministrit nuk i hyn asnjë gjemb në këmbë nga një turmë që nuk ka përfaqësues, nuk ka adresë politike dhe nuk ka njerëz që mund të mbajnë përgjegjësi për kauzën që përfaqësojnë.
Në sytë e tij, pjesëmarrësit mbeten thjesht një numër. Një masë njerëzish e ngjashme me numrin e pëlqimeve në rrjetet sociale: e madhe, e dukshme dhe e zhurmshme, por pa aftësinë për t’u shndërruar në një alternativë të organizuar. Ashtu si një postim mund të marrë mijëra pëlqime pa prodhuar domosdoshmërisht ndryshim real, edhe një protestë mund të mbledhë mijëra njerëz pa krijuar domosdoshmërisht fuqi politike.
Prova e vërtetë e kësaj lëvizjeje ende nuk ka ardhur. Ajo do të shfaqet në momentin kur të krijohet një grup drejtues i identifikueshëm, kur disa individë të dallohen dhe të marrin përgjegjësinë e drejtimit. Atëherë do të kuptohet nëse energjia e protestës buron vetëm nga refuzimi i hierarkisë, apo nëse njerëzit janë të gatshëm të njohin dhe të ndjekin dikë si autoritet mbi veten e tyre.
Vetëm në atë moment do të shihet nëse turma dëshiron thjesht të jetë bashkësi zërash të barabartë, apo nëse është e gatshme të shndërrohet në një lëvizje të organizuar që pranon udhëheqje, përgjegjësi dhe drejtim të qartë.
Sepse çdo protestë mund të mbledhë njerëz. Por vetëm një lëvizje që pranon të kalojë nga barazia e turmës te përgjegjësia e udhëheqjes mund të shndërrohet në një forcë që ndryshon realisht shoqërinë.