29 Shtator, 2026

“Bela është mbretëresha, ne ushtarë jemi” – Drejtori i Ballukut kërkon videon e plotë

 “Bela është mbretëresha, ne ushtarë jemi” – Drejtori i Ballukut kërkon videon e plotë

Drejtori i Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial, Sokol Zaimi, ka reaguar pas investigimit të Fiks Fare për Belinda Ballukun, në të cilin thuhet se ajo vazhdon të komandojë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Zaimi në investigimin e Fik Fare, dëgjohet të thotë:

“Nëse je mikesha e shefes, je dhe e imja.”

Më pas ai përdor edhe një tjetër shprehje: “Ushtarët zëvendësohen kollaj, po mbretëresha nuk zëvendësohet dot.”

Por në reagimin e tij, Zaimi thotë se fjala e tij nuk është transmetuar e plotë dhe është shtrëmbëruar qëllimisht.

Reagimi i Zaimit

Reagim ndaj kronikes se Fiks Fare:

Ndoqa me shqetësim kronikën disinformuese të transmetuar mbrëmjen e djeshme në emisionin “Fiks Fare” në Top Channel.

Sqaroj se, në datën 22 shtator, në prani edhe të Drejtoreshës së Burimeve Njerëzore të institucionit, kam pritur në takim Rudina Demneri, e njohur për publikun si Paloma, e cila është interesuar për punësimin e një personi të saj të afërm.

E kam informuar qartësisht, në prezencë të Drejtoreshës së Burimeve Njerëzore të institucionit ritheksoj, se nevojat e institucionit janë kryesisht për inxhinierë elektrikë dhe se çdo person i interesuar për punësim duhet të ndjekë një procedurë ligjore, sipas hapave dhe kritereve të përcaktuara.

Biseda rreth Znj. Balluku u provokua qëllimisht nga Demneri, e cila ju referua si mikeshë të mirë, të cilën e takon shpesh dhe për të cilën gëzon vlerësim.

Fjalia ime e përfshirë në kronikë është shkëputur qëllimisht nga konteksti i bisedës dhe është paraqitur në një mënyrë që deformon kuptimin e asaj që kam thënë. Ajo nuk ka asnjë lidhje me kërkesën e bërë nga znj. Demneri për punësim dhe as me ndonjë proces tjetër institucional.

Qëndrimi im ka qenë dhe mbetet i qartë: Unë besoj se znj.Balluku, në përfundim të betejës së saj ligjore, do të dalë e pafajshme, pasi, për aq sa e kam njohur në marrëdhëniet tona të punës, ajo ka qenë e drejtë dhe korrekte. Ky është një qëndrim imi personal dhe nuk ka lidhje me detyrën apo pozicionin tim institucional.

Edhe referimi im ndaj znj. Balluku me fjalën “shefe” është pjesë e respektit personal që unë kam për të dhe nuk lidhet në asnjë mënyrë me pozicionin tim aktual si drejtues i ISHTI.

Është e papranueshme që fjalët e mia të priten, të përzgjidhen dhe të vendosen në një kontekst të ndryshëm nga ai në të cilin janë thënë, duke i dhënë publikut një mesazh që unë nuk e kam thënë dhe nuk e kam nënkuptuar.

Prerjet dhe përzgjedhjet e fjalëve jashtë kontekstit janë të qëllimshme dhe, sipas vlerësimit tim, janë pjesë e një sulmi të koordinuar të televizionit Top Channel ndaj meje. Arsyet e këtij sulmi nuk i di dhe nuk i vlerësoj dot, por një gjë është e qartë: Nuk do të lejoj që fjalët e mia të deformohen dhe të përdoren për të krijuar një realitet të rremë para opinionit publik.

Ndaj, i bëj thirrje Top Channel të transmetojë videon e plotë të regjistruar në menyrë të fshehtë nga Demneri.

Trishtim tek sheh se si televizioni dikur më i ndjekur nga shqiptarët, është shndërruar në një gjobëvënës.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *