10 pyetje për kryebashkiaken Alma Hoxha, që refuzon t’iu përgjigjet
Qysh në datën 29 gusht 2026 gazeta lokale Bashkësia Përmet pasi ka zbukuar skandalin me antenën e valëve celulare që po vendoset në tarracën e godinës së Postës në qendër të qytetit, i kemi drejtuar publikisht 10 pyetje institucionit të Bashkisë Përmet por deri tani asnjë përgjigje.
Po presim deri në fund të javës dhe më pas do i drejtohemi Komisionerit Publik për të Drejtën e Informimit dhe Avokatit të Popullit. Më poshtë po risjellim edhe një herë pyetjet për bashkinë:
-Pse Bashkia nuk e publikon të plotë Vendimin nr. 2484/2, datë 11.08.2026 por mjaftohet vetëm me referencën ndaj tij?
-Kush është personi përgjegjës në Bashkinë Përmet që ka firmosur/miratuar aktin, në çfarë funksioni dhe me çfarë kompetence ligjore?
-Ku është data, numri i protokollit, firma e personit përgjegjës dhe vula përkatëse e Bashkisë në dokumentin përfundimtar që autorizon vendosjen e strukturës së antenës misterioze mbi godinën e Postës në Përmet?
-Kur e paraqiti kompania “One Albania sh.a.” kërkesën dhe çfarë kërkoi konkretisht?
-Kush e ka firmosur e vulosur kërkesën dhe dokumentacionin në emër të kompanisë celulare One Albania, cili është funksioni i këtij personi dhe me çfarë autorizimi përfaqëson kompaninë?
-Përse është zgjedhur pikërisht kjo godinë dhe kjo pikë në një zonë të banuar pranë qendrës së Përmetit, a janë shqyrtuar vendndodhje alternative?
-Për sa kohë është dhënë autorizimi për atë që vetë Bashkia e quan “strukturë e përkohshme”, cila është data e përfundimit?
-A kërkonte procedura ligjore njoftim, konsultim apo dëgjesë me komunitetin e nëse po, kur dhe ku është zhvilluar?
-Pse nuk publikohet dosja e plotë administrative dhe teknike që ka çuar në miratimin e antenës: kërkesa, relacionet, projekti, aktet e pronësisë, miratimet, vendimi dhe dokumentet teknike përkatëse?
-Pas vënies në funksion, kush do të kryejë matjet reale të fushës elektromagnetike, ku do të kryhen dhe a do t’u bëhen publike rezultatet?