Babai lë vetëm në një stol djalin 7-vjeçar mes mjegullës dhe shiut, për të ngjitur malin
Një baba është qortuar nga policia pasi e la të birin në malin më të lartë të Japonisë për disa orë vetëm me një pije freskuese dhe një meze të lehtë.
Shtatëvjeçari u pa i ulur në një stol në malin Fuji në kushte mjegulle dhe shiu, në një pikë të vendosur në mbi 2 mijë metra.
Babai i tij, 48 vjeç, thuhet se i tha të “priste këtu” pasi djali u ankua se ishte i lodhur – dhe vazhdoi ngjitjen me djalin e tij të madh.
Stafi në një kasolle malore e gjeti fëmijën pranë stacionit të gjashtë të një rruge ecjeje drejt majës dhe njoftoi policinë. Babai i tij u gjurmua midis stacionit të shtatë dhe të tetë të rrugës – që thuhet se është një ecje tre-orëshe larg.
Djali u gjet vetëm në orën 07:30 lokale të enjten.
Oficerët e qortuan të atin kur ai u kthye nga stacioni më i lartë dhe u ribashkua me të birin, i cili thuhet se ishte “i lodhur dhe i bezdisshëm” pas tetë orësh pritjeje.
“Edhe nëse kjo do të thotë të heqim dorë nga ngjitja e malit së bashku, të lëmë pas një fëmijë është e papranueshme”, i tha njëri prej tyre, sipas Japan Today. Thuhet se ai ka kërkuar falje për vendimin “e nxituar”.
U raportua se familja kishte qenë në rrugën Fujinomiya, e cila fillon nga stacioni i pestë në mal, një vend i arritshëm me transport publik.
Nga atje duhen rreth pesë orë për të arritur në majë dhe tre orë të tjera për të zbritur, sugjerojnë guidat e ngjitjes.
Mali Fuji, i cili ndodhet në një lartësi prej 3,776 m, ka qenë vendi i një numri aksidentesh ngjitjeje vitet e fundit.
Në korrik, një grua 99-vjeçare u desh të shpëtohej duke u përpjekur të ngjitej në këtë itinerar pasi kishte rënë dhe kishte lënduar ijën dhe shpinën.
Dhe vitin e kaluar, një student 27-vjeçar universiteti që doli jashtë sezonit zyrtar të ngjitjes u desh të shpëtohej dy herë brenda katër ditësh – pasi u kthye për të kërkuar telefonin e tij të humbur celular.
Mali Fuji, një vullkan aktiv i vendosur në jugperëndim të Tokios, iu dha statusi i Trashëgimisë Botërore në vitin 2013.
Është gjithashtu një nga tre “Malet e Shenjta” tradicionale së bashku me Malin Tate dhe Malin Haku.
Rreth 200 mijë njerëz e ngjiten atë çdo vit, por ka kufizime ditore në disa itinerare për të shmangur mbipopullimin.