6 Qershor, 2026

83 mandate nuk janë tapi pronësie mbi Republikën, zoti Rama!

 83 mandate nuk janë tapi pronësie mbi Republikën, zoti Rama!

Ka një ngatërresë të madhe, pothuajse foshnjore por thellësisht dashakeqe, që tenton të zërë rrënjë në mendësinë e pushtetit aktual në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama, i rrethuar nga numrat e ftohtë të kartonave në Parlament, sillet sikur ato 83 mandate nuk janë thjesht një autorizim i përkohshëm për të qeverisur, por një tapi pronësie mbi Republikën.

Një leje e bardhë për të bërë çfarë të dojë me pasurinë kombëtare, për të tjetërsuar miliona metra katrorë tokë bregdetare, dhe për t’i ndarë resurset e këtij vendi sikur të ishin plaçkë private e një korporate që nuk jep llogari para askujt.

Por legjitimiteti nuk është një konservë që nuk skadon kurrë. Ai nuk mund të ngrihet në frigoriferin e parlamentit për t’u përdorur si mburojë sa herë që skandalet plasin rresht.

​Ato 83 mandate që sot tunden si letër kredenciale për të justifikuar çdo firmë në errësirë, janë marrë përpara se të shpërthenin rastet e fundit të korrupsionit galopant, që po i merr frymën vendit.

Janë marrë përpara se opinioni publik të dëgjonte se si kërcasin miliona euro para publike nëpër përgjime hajdutësh zyrtarë, sikur të ishin monedha të rëndomta 100-lekëshe që shkëmbehen nëpër qoshe rrugësh.

Sot, ajo paketë votash që qeveria mban në xhep nuk përfaqëson më vullnetin e vërtetë të qytetarëve, por inercinë e një makinerie që refuzon të shohë se çfarë po ndodh poshtë dritareve të zyrës kryeministrore.

Në shesh është derdhur rinia. Janë me mijëra të rinj që kanë dalë jo për lojëra politike, por për të mbrojtur dinjitetin e nëpërkëmbur dhe për të ndaluar grabitjen me arrogancë të padurueshme të pasurisë kombëtare.

Ky zgjim rinor e ka zhveshur pushtetin nga autoriteti moral, duke i lënë në duar vetëm numrat e zhveshur të një matematike parlamentare që nuk përkon më me frymën e vendit.

Prandaj, nëse kryeministri është kaq i sigurt te vetja, nëse beson vërtet se populli vazhdon t’i duartrokasë aferat e guaskave dhe tjetërsimet e territoreve, le ta provojë veten. Le të ketë guximin burrëror dhe politik të zbresë nga piedestali i kartonave të vjetër dhe të shpallë zgjedhje të reja parlamentare!

Kush e di, mbase ka të drejtë ai. Mbase makineria e tij e propagandës funksionon aq mirë sa mund të marrë jo 83, por 100 mandate. Sidomos tani që miliona eurot lëvizin me shpejtësinë e dritës nëpër korridoret e pushtetit. Por le t’i shpallë. Le të përballet me kutitë e votimit sot, nën dritën e skandaleve të reja dhe me sheshet e mbushura plot që kërkojnë llogari.

Koha e fshehjes pas kartonave të votës ka mbaruar. Llogaridhënia është zëvendësuar me arrogancë dhe pasuria e përbashkët po trajtohet si mall pa zot. Një qeveri e tillë mund të ketë numrat në sallë, por ka humbur të drejtën për të folur në emër të popullit.

Sfidën e ka në shesh. Ose ballafaqim me të vërtetën dhe me votën e lirë, ose pranim në heshtje i faktit se ato 83 mandate janë thjesht një mburojë prej letre që po digjet nga zjarri i skandaleve të veta. (DITA)

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *