Fatos Lubonja i përgjigjet ish-mikut të tij Rama dhe akuzon Berishën: Ai është i kapur nga oligarkët
Fatos Lubonja ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS-së, se analisti “jeton me makthin e mafias që kur u nda nga unë”, teksa po fliste për protestën në Zvërnec.
Në një intervistë për Neës24, Lubonja tha se me Ramën nuk ka pasur asnjëherë lidhje personale apo shoqërore, por i kanë bashkuar idetë dhe vizioni që ndanin dikur si intelektualë për të mirën e vendit. Sipas tij, kryeministri është ai që është larguar nga parimet dhe vlerat që promovonin së bashku në atë kohë, duke përqafuar, sipas tij, atë që e cilësoi si “mafie e pushtetit”.
“Është në vazhdën e mënyrës së tij të komunikimit atje ku nuk i pëlqen, gjen armikun dhe e sulmon. Unë e pashë atë pjesën ku flet për mua, dhe këtu sigurisht që nuk dua të flas për veten, por për shqetësimin që kemi si shqiptarë. Në lidhje me mafian, që kur tha se ‘u nda me mua jeton me makthin e mafias’. E para nuk kam qenë ndonjëherë i bashkuar me lidhje shoqërore të vjetër të ushtrisë, të burgut.
Mua me Ramën më kanë bashkuar disa ide që kishim si intelektualë në atë kohë që lidheshin me politikën, se si duhet bërë politika për shkak të autoritarizmit të Berishës. Për demokracinë e lirinë, që lidheshin me kulturën e vjetër e të re, dhe me vizionin e Shqipërisë se si do të bëhej në kundërshtim me atë që shikonim në vitet ’90.
Ai që u nda jo nga unë, por nga idetë që kishim promovuar së bashku është Edi Rama për të përqafuar atë që e kam quajtur mafie e këtij pushteti. Po bën të kundërtat e atyre ideve që kemi promovuar si intelektualë në atë kohë. E njëjta gjë edhe e lidhur me projektin në fjalë.”, tha Lubonja.
Analisti shtoi se situata e shkaktuar në Zvërnec nxjerrin në pah mënyrën se si funksionon, sipas tij, sistemi i pushtetit të kryeministrit.
“Ajo që unë thashë atje është se çfarë ka ndodhur në Zvërnec, zbërthen të gjithë sistemin e pushtetit të Ramës që mbahet mbi katër këmbë, ku njëra janë oligarkët rreth tij. Janë paratë e krimit të organizuar, që lidhin oligarkinë dhe shtetin. Dhe ndërkombëtarët e korruptuar, që përdoren për të bërë legjitimimin ndërkombëtar të Ramës. Ky është sistemi që del zhveshur në Zvërnec. Bëra thirrje që duhet bërë protesta jo vetëm te Policia ”, tha ai.
Akuzat ndaj Berishës
Analisti Fatos Lubonja kritikoi gjithashtu edhe heshtjen e Partisë Demokratike në lidhje me përplasjen dhe dhunën ndaj një protestuesi në Zvërnec.
Lubonja u shpreh se kreu i PD-së, Sali Berisha, nuk ka reaguar për këtë çështje pasi, sipas tij, mbetet i lidhur me oligarkinë.
Sipas Lubonjës, një tjetër arsye e mungesës së reagimit lidhet me pritshmëritë e Berishës ndaj administratës së presidentit amerikan Donald Trump dhe shpresën për heqjen e statusit “non grata”.
“Berisha nuk reagon për arsye se deri dje ka qenë i lidhur me oligarkinë që siç duket ka dorë në Zvërnec. Një nga lëvizjet që ka bërë Rama më të suksesshme, t’i marrë Berishës ato oligarkët që kishte dikur kur ishte kryeministër. Sikur të kishin qenë të ndarë dy partitë me oligarkët e vet do të kishte pak më shumë demokraci në Shqipëri. Por ky i mori të gjithë. Por favoret që këta i kanë bërë e mbajnë peng. Kështu është edhe Rrjoli.
I dyti është se ky nuk do, kanë iluzionin se me ikjen e administratës Biden, administrata Trump do të jetë në mbështetje të tij, ndoshta deri tek do të vijnë të heqin Ramën si Maduron dhe deri te ideja se do t’i heqin non gratën. Nuk reagon se nuk do të prishet me amerikanët dhe me oligarkët. Opozita nuk duhet të mjaftohet vetëm duke sulmuar Ramën si person, por edhe oligarkinë”, theksoi ai.