SHBA godet radarët iranianë, Teherani sulmon bazën amerikane në Kuvajt
Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë përshkallëzuar sërish, pasi të dyja palët kanë shkëmbyer sulme ushtarake gjatë fundjavës, në një prej incidenteve më serioze që prej vendosjes së armëpushimit në prill.
Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) njoftoi se ka kryer sulme “vetëmbrojtëse” ndaj objekteve ushtarake iraniane, duke goditur sisteme radarësh, qendra komanduese për dronë dhe mbrojtje ajrore në zonën e Gorukut dhe në ishullin Qeshm, pranë Ngushticës së Hormuzit.
Sipas Ushtrisë amerikane, operacioni erdhi si përgjigje ndaj “veprimeve agresive iraniane”, përfshirë rrëzimin e një droni amerikan mbi ujërat ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, Garda Revolucionare Islamike e Iranit deklaroi se ka goditur një bazë ajrore amerikane në Kuvajt, të cilën e akuzon se ishte përdorur për sulme kundër territorit iranian. Teherani paralajmëroi se reagimi i tij do të jetë “krejtësisht ndryshe” nëse sulmet amerikane përsëriten.
Sipas CENTCOM-it, dy raketa balistike iraniane të lëshuara drejt forcave amerikane në Kuvajt janë interceptuar me sukses dhe nuk ka pasur viktima apo të plagosur mes personelit amerikan.
Autoritetet kuvajtiane konfirmuan se sistemet e mbrojtjes ajrore janë aktivizuar për të përballuar raketa dhe dronë që i cilësuan si “armiqësorë”. Ministria e Jashtme e Kuvajtit dënoi ashpër sulmet iraniane, duke i konsideruar një “përshkallëzim të rrezikshëm” dhe një sulm të drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit të vendit.
Përplasjet vijnë në një moment kur negociatat për një marrëveshje afatgjatë mes SHBA-ve dhe Iranit mbeten të bllokuara. Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Irani “dëshiron vërtet një marrëveshje” dhe se rezultati përfundimtar do të jetë pozitiv për Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, Teherani akuzoi Washingtonin për ndryshim të vazhdueshëm të qëndrimeve dhe vendosje të kërkesave të reja, duke paralajmëruar se kjo po zgjat procesin negociues.
Sipas mediave amerikane, administrata Trump ka kërkuar ndryshime në draft-marrëveshjen e armëpushimit, ku përfshihet rihapja e Ngushticës së Hormuzit dhe çështja e uraniumit të pasuruar iranian.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat më kritike të tregtisë globale, pasi përmes saj kalon rreth një e pesta e furnizimit botëror me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm. Bllokimi i saj gjatë muajve të fundit ka shkaktuar luhatje të forta në tregjet ndërkombëtare të energjisë.
Pavarësisht armëpushimit të shpallur më 8 prill, përplasjet e reja tregojnë se rreziku i rikthimit të konfliktit të hapur mes SHBA-ve dhe Iranit mbetet ende i lartë.