Teoria e ndyrë e komplotit grek
Nga Gjergj Erebara
Teoria e ndyrë e komplotit grek ka disa anë shumë të shëmtuara!
E para, që në Nartë ka qytetarë shqiptarë me kombësi greke, dhe që janë aty dembabadem, këtë nuk e luan topi. Dhe minoriteti grek në Nartë dhe kudo tjetër janë pasuri e Shqipërisë.
Banorët e Nartës, rrëfehet në Vlorë, kanë shumë pak tokë të punueshme dhe historikisht e nxirrnin jetesën me vështirësi me peshkim dhe me vreshta me të cilën bënin verë. Ka disa restorante aktualisht në Nartë që jua rekomandoj.
Gjatë viteve ’80, kur qeveria kishte urdhëruar fshatarët të hanin bukë misri me qëllim që të arrinte vetëmjaftueshmërinë ushqimore, tregohet se kur, ndonjë narqot arrinte të siguronte paratë dhe dëshironte të blinte bukë gruri, shkonte deri në Vlorë, një distancë e cila mund të përshkohet në këmbë, për ta blerë.
Dhe rrëfehet në një rast se si një shitëse provokoi blerësin duke e pyetur: “Si e do bukën, katrore apo të rrumbullakët”. Blerësi, për shkak se nuk e shqiptonte dot ll-në, përgjigjej: “të rumbulakët”, duke dekonspiruar veten. Shitësja i tha: “Ti je katundar, nuk ke leje të blesh bukë gruri”.
Tani të mbërrijmë te historia e Ramës që i bëri çudi që një qytetar Zvërneci është shtetas grek. Unë nuk e di nëse ai është minoritar apo jo, dhe kjo nuk ka as kurrfarë rëndësie, por di që ka qindramijëra shqiptarë që kanë emigruar në Greqi dhe shumë janë bërë qytetar me shtetësi greke, disa me dyshtetësi e disa duke hequr dorë nga shtetësia shqiptare, pavarësisht nëse janë minoritarë grekë apo shqiptarë.
Një qytetari të tillë, nuk i humbet asnjë e drejtë në Republikën e Shqipërisë. Ndryshimi i vetëm është që ai ka një shtetësi që e mbron, ndryshe nga ne që kemi vetëm shtetësinë shqiptare dhe që Rama do të na bëjë emigrantë të paligjshëm në vendin tonë.