24 Qershor, 2026

Puna është keq, përderisa Rama ka menduar edhe dorëheqjen

 Puna është keq, përderisa Rama ka menduar edhe dorëheqjen

Nga Arbër Zaimi

Thellë do jetë puna përderisa Rama paska mbllaçitur nëpër mend dhe dorëheqjen, por nuk e paska gëlltitur.

Sidoqoftë:

1.Rama përpiqet të ndërtojë një konspiracion, kinse protestuesit janë vegëza të Greqisë, bazuar mbi disa reagime nga institucione e media greke që shprehin shqetësim për nartiotët e pronat e tyre, përpjekje e zakonshme ballkanike për të instrumentalizuar minoritetet që të kushtëzohet sadokudo vendi fqinjë. Mirëpo, po të donin protestuesit t´i përgjigjeshin Ramës me të njëjtën monedhë, ata e kanë të freskët lajmin se Rama i diskuton dhe i negocion interesat amerikane në Shqipëri me ambasadoren amerikane në Greqi. Si të lexohet kjo? Dihet se Amerika interesat e veta në Greqi i trajton me ambasadën e Athinës, ndërsa ato në Shqipëri, me ambasadën e Tiranës. Takimet e Ramës me ambasadoren amerikane në Greqi nuk ishin në ndonjë bar, por në selinë kryesore të pushtetit në Shqipëri, pra në kryeministri.

Kjo marrëdhënie Shqipëri – Amerikë e ndërmjetësuar nga diplomatët në Athinë a nuk e degradon Shqipërinë, a nuk e lë në pozitën e vendit të dorës së dytë (në mos vasal)? Apo mos vallë Rama e sheh veten si grek, prandaj natyrshëm komunikon me Amerikën përmes ambasadës athiniote? Këto supozime zakonisht i konsideroj si kotësira bajate, mirëpo siç thamë, vetë kryeministri e zu këtë avaz.

2.Po trajtohet çështja a thua se thjesht paska abuzuar cazë policia private dhe ajo e shtetit qenka treguar pakëz e mefshtë. U hoqën licensat e dy kompanive private e u pezulluan nga puna nja dy drejtues rajonalë të policisë së shtetit. Problemi është shumë më i madh se kaq. Ne e pamë policinë të rrinte e tulatur teksa lagej me sprej piperi, e pamë të shushatur teksa rriheshin e hiqeshin zvarrë protestuesit. U desh të kalonin orë, derisa të diskutonin politikanët e lartë me mjeshtrat e komunikimit, për të vendosur të merreshin masa.

Arsyeja pse u morën masa duket të jetë ekzistenca e videove, dhe masat u morën sa për sy e faqe. Të pezulluarit pas ca javësh, në mos ditësh, kthehen në punë në pozita a qytete të tjera, kompanitë rilicensohen me nipt të ri. Kemi arsye të jemi kaq mosbesues ndaj policisë, sepse jo shumë muaj më parë morëm vesh se zyrtarë të policisë të shtetit vetë kanë rrëmbyer individë, biznesmenë shqiptarë, që rrezikonin t´ia prishnin tenderët e kurdisur një zyrtari të afërt me kryeministrin, që siç duket ka koordinuar mes krimit dhe institucioneve.

Kemi arsye të jemi mosbesues edhe se shpesh dalin lajme për banditë që mbajnë si shoqërues policë, madje edhe kur bien në pritë, vriten bashkë. Kuptohet, çfarë dëgjojmë e shohim në lajme janë shumë pak në krahasim me shtrirjen e fenomenit. Duket sikur Rama ka filluar të ketë hallin fisnik të besueshmërisë te policia e shtetit. Dakord jam me këtë hall, i përket një shtetari të ketë halle të tilla. Mirëpo hapja e dyerve të ekonomisë për banditët e për paratë e pista krijon në vend bashkëjetesën e bandave me policinë, e aty ku policia bashkëjeton me bandat ndërkombëtare a brendakombëtare qofshin, nuk mund të ketë besueshmëri të saj. Është e konfirmuar bindja se policia monopolin shtetëror të forcës e ushtron pa teklif, shpesh edhe abuzivisht, ndaj shtresave të mesme e të varfra të shoqërisë, ndërsa ndaj të tjerëve, duhet të marrë konfirmimin nga lart, prandaj vonohet me orë e me ditë deri sa të bëjë ndonjë reagim të kujdesshëm, si në rastin e Zvërnecit.

3.Një valë reagimesh të komanduara nga zyrat e shtypit përpiqen ta karakterizojnë protestën si gjest anti-zhvillim kundër ca investitorëve shumë të rëndësishëm për ekonominë dhe politikën e jashtme shqiptare. Mirëpo edhe këtu lindin pyetje legjitime. Së pari, në qofshin vërtet investitorë të rëndësishëm, përse duhet të vijnë të maskuar, kompani pas kompanie, si fletët e qepës? Investitorët që përdorin këto mbulesa, këto kompani guackë (shell companies), siç quhen, zakonisht kanë diç për të fshehur. Çfarë duan të fshehin? Po të ishte çështja për zhvillimin e Shqipërisë, apo për avancimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, këtu ka konsensus të gjerë e s´ke pse fshihesh. Vjen ballëhapur, si Trump a si Katar a si Kastrat, dhe thuaj – unë jam investitori.

Ka shumë gjasa që bujrumi të jetë i ngrohtë, dhe shqetësimet legjitime nga pretenduesit për prona apo edhe nga qytetarët e shqetësuar për natyrën dhe publiken në Shqipëri, të shprehen me konstruktivitet. A thua ndonjë këshilltar i keq t´i ketë çuar investitorët e mirë në udhë të keqe? Mandej, pse investitorët që kanë vendosur të maskohen me kompani guackë njëra pas tjetrës, kanë zgjedhur ta blejnë këtë shërbim te ca menaxherë rusobullgarë, që zakonisht u shërbejnë klientëve rusë për të tejkaluar embargot e sanksionet perëndimore, sidomos atyre që kanë lidhje me naftën, trafiqet, shplarjen e parave apo me spekulimin në real-estate?

Kjo i hedh hije të keqe gjithë punës, sepse njëri nga investitorët e përfolur dominon tregun e naftës në Shqipëri, çne ai me shërbyes të tillë rusobullgarë? Zakonisht kompanitë guackë shërbejnë për të fshehur pronësitë reale dhe për t´u ikur taksave e detyrimeve të tjera ligjore. Ose për t´u ikur sanksioneve, nëse paraja vjen nga vende të sanksionuara. Ose për t´i ikur drejtësisë nëse burimi fillestar i parave është aktiviteti kriminal diku në botë a në vend.

A duam ne pra investime që nuk dihet nga e kanë burimin fillestar, që u ikin taksave e detyrimeve ligjore? Vende të ndryshme europiane kanë kufizuar ndjeshëm aksesin që u jepet të tillave në sektorë me impakt të madh ekonomik, shoqëror, natyror apo të sigurisë. A duam të bëhemi si Europa apo si Aruba a ndonjë ishull tjetër në Karaibe, kjo është pyetja.

4.Shpesh diskutohet për investimet si një “e mirë e padiskutueshme”. Kritika e protesta shihet si tabu. Kësisoj nuk funksionojnë demokracitë, por diktaturat. Gjermanët, që kanë në historinë e tyre diktatura të spikatura, kanë fjalën “denkverbot”, një lloj ndalimi për mendimin e disa gjërave, një lloj embargoje ndaj mendimit. Ne nuk mund ta pranojmë këtë fenomen, që shfaqet gjithnjë duke poshtëruar kritikët e protestuesit.

Protestuam kundër shembjes së Piramidës në kohë të PD-së, u shamë, protestuam kundër shembjes së Stadiumit e Teatrit Kombëtar në kohë të PS-së, prapë u shamë, e megjithatë bie në sy dallimi se me protesta në kohë të PD-së u ndal shembja, ndërsa në kohë të PS-së me dhunë nga policia shtetërore a nga gangsterët privatë, projekti shembës e shkeli protestën. Unë nuk mund të argumentoj se protestuesit kanë patur gjithnjë të drejtë, apo që shembja e rizhvillimi kanë qenë gjithnjë gabim.

Mirëpo, ndryshimi i peizazheve natyrore e atyre urbane, shkatërrimi i vendeve që mbartin pasuri historike a ambientale, nuk mund të bëhet pa përfshirë komunitetin. Jo në një demokraci. Pse nuk mbahen dëgjime e diskutime publike, pse nuk lihet kohë të shprehen specialistët e angazhuar e ata të paangazhuar? Pse drejt e te shkopi i gomës? Në 2023 në festivalin e Cannes u vlerësua një film i regjisorit japonez Ryusuke Hamaguchi me titullin “Evil does not exist”. Tema është pikërisht kjo: në një komunitet fshatar shfaqet një investitor që dëshiron pyllin e tyre ta bëjë “glamping”.

Edhe atje nis fushata që relativizon gjithçka, investitori dërgon gazetarë dhe ushtarë marketingu, shpesh të keqarsimuar e të keqpaguar, për të bërë propagandën e vet. Por shteti nuk dërgon policinë, përkundrazi, detyron palët të takohen e të diskutojnë. Pavarësisht se fshatarët as nuk janë pronarë e as nuk janë pretendentë të jenë pronarë të pyllit – ata duhen përfshirë e marrë parasysh si komunitet, sepse kjo e dallon demokracinë nga autokracia, ku vendimet i merr sulltani. Rama mund të ketë miq në Katar e kudo, po nuk është ende sulltan e as emir i Shqipërisë.

5.Mandej është edhe çështja e modelit të ndërtimit turistik. Duke ndërtuar rezidenca kaq pranë bregut Shqipëria po shet shtrenjtë një territor të vogël. Por vende si Kroacia, që ndërtimet rezidenciale i bëjnë në zona larg bregut e jo në natyrë po në zonat që i përkasin planit urban, po arrijnë të shesin edhe më shtrenjt një territor edhe më të gjerë.

Betonizimi me ndërtesa të larta i vijës së parë ul çmimin dhe interesin për vijën e dytë e më pas, përveç që degradon edhe vlerën natyrore e peizazhin që janë arsyeja pse turizmi ka interes për atë zonë. Shqipëria si duket përton të ndjekë modelin kroat, dhe zgjedh të ndjekë atë të Mikonosit e Santorinit, ku ndërton mafia teksa pushteti qendror ia hedh fajin atij lokal e anasjelltas.

Apo modelin e Italisë së jugut e të Malit të Zi, ku turizmi është sektor i dominuar nga kriminaliteti dhe dritare për ekonominë e errët. Apo modelin e disa pjesëve të bregut turk a spanjoll, ku natyra e historia janë betonizuar, vendasit janë larguar, e turizmi është i pashije, kur shkon atje nuk e kupton as në ç’vend je e as pse ke shkuar.

6.Ky model nuk është zhvillimor, por haptazi grabitqar. E në vendet ku ka zhvillim të mirëfilltë ekonomik, ku rritet prodhimtaria e individit dhe e ekonomisë, ndërtimi është shumë i kufizuar si sektor, shumë i vështirë, siç mund ta konfirmojnë ata që kanë patur punë në vendet gjermanike a gjetiu.

Ndërtimi për ekonominë është si droga për organizmin njerëzor, sepse është sektor joshës për kapitalin, fitim i shpejtë e pa shumë vramendje, mirëpo në afatgjatë nuk rrit vlerën e ekonomisë e as aftësinë e punëtorëve, përkundrazi është i prirur të të çojë në kriza të shpeshta teksa lë pas natyrë të shkatërruar, sistem gjyqësor e administratë të korruptuar, media të kalbur, shtet të dobësuar dhe mentalitet dembel si te afaristi ashtu edhe te politikani e madje edhe te qytetari.

Një qeveri e mençur do ta orientonte kapitalin privat kah prodhimi e inovacioni, sidomos në këto kohë kur botërisht po merr hov një revolucion i ri teknologjik që po ndryshon thelbësisht sektorët tradicionalë të prodhimit, por edhe shërbimet e financat. Merr kohë më shumë të ndërtosh ekonomi prodhuese e inoviative, jep ryshfet shumë më pak, ama vendi në afatgjatë forcohet e shoqëria ia sheh hajrin.

Sidoqoftë, për aq sa do të ketë protesta, ka shpresë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *