103 dhe 101 vjeç – Historia e pabesueshme e motër e vëlla nga Pogradeci
Pandi dhe Artemisi Bardhi janë motër e vëlla nga Pogradeci dhe së bashku kanë më shumë se dy shekuj jetë. Pandi është 103 vjeç, ndërsa e motra, Artemisi, 101 vjeçe. Të dy kanë ruajtur kujtime nga Pogradeci i fëmijërisë, nga pushtimi italian dhe nga dekada të tëra ndryshimesh që kanë transformuar qytetin dhe vendin.
Edhe pse nuk kanë bërë një jetë luksi, por kanë qenë njerëz të thjeshtë dhe punëtorë, sot ata janë ndër banorët më të moshuar të Pogradecit dhe gëzojnë një shëndet të mirë.
Pandi, i cili gjatë gjithë jetës ka ushtruar profesionin e kallajxhiut, e ka parë Pogradecin të ndryshojë brez pas brezi. Mes kujtimeve të tij janë edhe ngjarje që i përkasin historisë së vendit, përfshirë vitin 1939 dhe pushtimin italian.
Sipas Pandit, ushtarët italianë nuk silleshin si pushtues, por ishin njerëz që kërkonin të argëtoheshin ndërsa kujton ditët e para të pushtimit, shitjen e gështenjave dhe takimet me ushtarët italianë.
“Pandi Vangjel Bardhi. Jam e 3 vjet më i madh të shkrojtura atje. Unë e mbaj Pogradecin mend shumë mirë. Shkollën e kam bërë në katundin Kotodesh. Hyri Italia fashiste këtu, pas dy-tre ditëve u shpërndanë, ca shqip, ca italianë. Ne të rinj shisnim gështenja. Vino, grapa, kantare, të qejfit. E ne pas atyre si kalamaj. Nuk ishin katila, ne nuk pamë njeri të rrihej. Vinin këndonin, lavora thoshin. Punë. No guera”, thotë Pandi Bardhi.
Përballë tij, Artemisi, 101 vjeçe, kujton jetën e asaj kohe, vitet e vështira dhe punën që e shoqëroi gjatë gjithë jetës. Me profesion rrobaqepëse, ajo tregon se puna ka qenë pjesë e pandarë e jetës së saj.
“Artemisi e kam unë. E bija e Vangjel Bardhit. Datëlindja, dhjetor i 25. Rrobaqepëse kam qenë. Bënim për çupa, për fëmijë. Pantallona, xhaketa. Unë për vete nuk vuajta e atëherë”, thotë ajo.
Dy jetë të nisura më shumë se një shekull më parë kanë dëshmuar ndryshime të jashtëzakonshme. Nga Pogradeci i fëmijërisë së tyre te qyteti i sotëm, shumëçka ka ndryshuar, ndërsa të dy thonë se jeta sot është më e mirë dhe më e lehtë.
Kur flasin për vitet e ndërtimit të vendit, Pandi dhe Artemisi e lidhin atë periudhë me figurën e Enver Hoxhës. Kujtimet e tyre për atë kohë mbeten pjesë e rrëfimit personal për një jetë të kaluar mes ndryshimeve të mëdha shoqërore.
“As Sali, as Ramë nuk zë me gojë. Enver Hoxha e gjeti të dobët Shqipërinë. Bëri hekurudhën, fabrikën e sheqerit, Enver Hoxha. Këneta Enver Hoxha”, thotë Pandi Bardhi.
“E sot që marr pensionin, për atë e kam. I ndritet shpirti Enverit. Për punës. Më mori me zor, më futi, e tha: kur të krijohen këmbët, të hanë dhëmbët. Do t’i vijë i gjalli të vdekurit. Unë i them Zotit: më merr. Mja pashë në këtë botë. Nuk dua të rroj më. Si budallai, ha, pi e brenda rri. I Greqisë thotë ai: ‘Ajde këtu’”, thotë ajo.
Pandi dhe Artemisi janë një kujtesë e gjallë e një shekulli të tërë. Kanë parë luftëra, breza që kanë ardhur e ikur dhe një qytet që është transformuar përpara syve të tyre. Sot, jetën e tyre e rrethojnë fëmijët, nipërit dhe stërnipërit.