21 Maj, 2026

Zëri i Elisës,i vetmi që dëgjohet, në shkretëtirën e heshtjes socialiste!

 Zëri i Elisës,i vetmi që dëgjohet, në shkretëtirën e heshtjes socialiste!

Elisa Spiropali tashmë i ka hyrë një rruge, në të cilën nuk ka kthim pas.

Ajo mund të heshte dhe të mos fliste, siç po bëjnë të gjithë në Partinë Socialiste, pas rastit “Balluku”, kur Rama kërcënoi hapur socialistët se do i “sakatonte”, nëse nuk rreshtoheshin pro ish-zv.kryeministres të akuzuar për favorizim tenderash.

Shumë prej tyre jo se nuk duan të flasin, por se nuk kanë guximin për ta bërë një gjë të tillë.

Dhe nuk kanë faj, se nuk është e lehtë t’i dalësh ballazi një kryeministri si Edi Rama, që pretendon se zotëron të vërtetën dhe do t’ua imponojë edhe të tjerëve, madje edhe me metoda represive dhe kërcënime.

Por Spiropali, ndryshe nga çdokush, po e bën këtë gjë, dhe me dinjitet madje.

Duke rrezikuar edhe karrierën e vet brenda Partisë Socialiste.

Atë karrierë, që Rama pretendon se ia ka falur ai, por që me qendrimet e saj, Spiropali po tregon se e ka merituar.

Duhet kuptuar, se qendrimet e Spiropalit, nuk janë një sfidë personale për Edi Ramën.

Ajo janë një klithmë për fatin e Partisë Socialiste, që duket se e ka lidhur fatin e vet, me Edi Ramën (edhe Ballukun).

Siç ka bërë Partia Demokratike, me Sali Berishën.

Dhe dihet si shkuan gjërat për PD-në.

E njëjta gjë rrezikon t’i ndodhë edhe PS-së, nëse hesht dhe veç bindet pa arsyetur dhe llogjikuar.

Natyrisht, kritikat e Spiropalit, ndoshta nuk mund ta trondisin apo rrëzojnë pushtetin e Edi Ramës.

Por ajo po tregon, se edhe ndaj një pushteti të tillë mund të dilet kundër dhe se jo të gjithë heshtin për një karrige deputeti apo ministri, duke u servilosur dhe duke u poshtëruar.

Dhe po i bën një shërbim shumë të madh Partisë Socialiste, duke mos heshtur ndaj një modeli të imponimit të mendimit nëpërmjet dhunës dhe frikës.

Një parti vdes kur bindet verbërisht dhe pa bërë zë, një lideri, që do të mbrojë me çdo kusht pushtetin e tij, ndoshta dhe korrupsionin (rasti Balluku).

Ndaj dhe mosbindja e Spiropalit, më shumë se për Ramën, është një sfidë për socialistët e tjerë, ata që kanë dinjitet dhe e duan këtë parti, që PS të mos përfundojë në një parti shtet, ku të gjithë mendojnë dhe veprojnë si kryetari.

Por dhe për politikën shqiptare, ku të gjithë janë kthyer në skllevër të kryetarit!

Që për turp, duhet të mos ishte kështu dhe gjërat duhej të kishin evoluar për mirë.

Se jo për gjë, por kujtoni si e la PS-në, Fatos Nano kur u largua?

Një parti ku flitej, debatohej, revoltohej, pa pasur frikë se kryetari do hakmerrej.

Ashtu siç po ndodh sot, ku zëri i Elisës, është i vetmi që dëgjohet, në shkretëtirën e heshtjes socialiste!

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *