Zbulim i rrallë në Egjipt, arkeologët gjejnë 18 varre antike dhe ritualin misterioz të “gjuhës së artë”
Një zbulim i rëndësishëm arkeologjik është bërë në bregdetin veriperëndimor të Egjiptit, ku janë zbuluar 18 varre që datojnë nga periudha ptolemaike dhe ajo romake. Gërmimet u zhvilluan në sitin arkeologjik të Marina El Alamein, qyteti i lashtë i njohur si Leukaspis, rreth 300 kilometra larg Kajros, përcjell Euronews.
Sipas Ministrisë Egjiptiane të Turizmit dhe Antikiteteve, zbulimi e çon në 44 numrin e përgjithshëm të varreve të identifikuara në këtë zonë që prej vitit 1986, kur siti u zbulua për herë të parë.
Arkeologët identifikuan 11 komplekse varresh të gdhendura në shkëmb dhe shtatë varre të ndërtuara mbi tokë me blloqe gëlqerore, disa prej të cilave u gjetën të paprekura dhe të mbuluara me strukturat e tyre origjinale.
Gjatë gërmimeve u zbuluan gjithashtu objekte me vlerë historike, përfshirë llamba vaji, amfora, enë qeramike të ruajtura në gjendje të mirë, legenë dhe altarë të vegjël prej guri. Mes gjetjeve më të rëndësishme ishte edhe një sarkofag i madh prej graniti, rreth 2.5 metra i gjatë, brenda të cilit ndodheshin mbetje njerëzore.
Një nga zbulimet më të veçanta lidhet me ritualet mortore të kohës. Studiuesit gjetën 24 fletëza të holla ari të vendosura në gojën e të ndjerëve, pjesë e ritualit të njohur si “gjuha e artë”. Sipas arkeologëve, kjo praktikë ishte e përhapur gjatë periudhës helenistike dhe romake dhe besohej se u mundësonte të vdekurve të komunikonin me hyjnitë e botës së përtejme.
Në vendngjarje u gjet edhe një amulet prej ari me simbolin e Syri i Horusit, një tjetër dëshmi e vazhdimësisë së besimeve tradicionale egjiptiane.
Ministri egjiptian i Turizmit dhe Antikiteteve, Sherif Fathy, deklaroi se ky zbulim konfirmon rëndësinë historike të Leukaspisit, një qytet i përmendur edhe nga gjeografi antik Strabo. I vendosur rreth 100 kilometra nga Alexandria, qyteti ishte një qendër e rëndësishme tregtare dhe kulturore që lidhte Egjiptin me pjesën tjetër të Mesdheut dhe konsiderohet sot një nga vendbanimet bregdetare më të ruajtura të periudhës klasike në vend.