Yanis Varoufakis: Rama, grusht shteti ndaj popullit shqiptar dhe mjedisit
Partia greke MeRA25 e Yanis Varoufakis reagon lidhur me protestat që prej më se një muaji po mbahen në Shqipëri.
Në një deklaratë publike thuhet se prej më shumë se një muaj, opinioni publik grek dhe ndërkombëtar ka ndjekur me admirim kryengritjen e popullit shqiptar në mbrojtje të tokës së tyre, nga grabitqarët e oligarkisë që po përpiqen të transformojnë habitatet e mbrojtura në “riviera turistike”.
Në vijim deklarohet se solidariteti me popullin e Shqipërisë është një thirrje për rimëkëmbjen e hapësirës publike dhe mbrojtjen e mjedisit, në Greqi dhe kudo.
Deklarata:
Progressive International paraqiti rezultatin e një hetimi të madh, një dosje shpërthyese të titulluar “Dosjet Edi Rama”.
Në të, të dhënat dhe dosjet e vendosin Kryeministrin shqiptar në qendër të një perandorie kriminale të pasurive të patundshme që shtrihet nga brigjet e vendit deri në kryeqytetin e tij. Kjo situatë i dha jetë lëvizjes “Flamingo”: një kryengritje popullore kundër planit miliarda dollarësh të familjes Trump për të privatizuar ligatinat e tyre të mbrojtura.
Këto “Dosje” zbulojnë se ky është një plan që është vetëm maja e një ajsbergu që ka marrë formë për 12 vjet nga Edi Rama, i cili i ka dhënë vetes fuqinë ekskluzive për t’ia lëshuar territorin e lashtë shqiptar elementëve më kriminalë të oligarkisë ndërkombëtare. Përfshirë, sigurisht, Trumpin dhe familjen e tij.
Hetimi i Internacionales Progresive është një prerje kirurgjikale në ekonominë politike të kleptokracisë që nuk është vetëm një çështje shqiptare, por në të cilën përfshihen interesat amerikane dhe evropiane dhe është hera e parë që këto janë publikuar dhe paraqitur para opinionit publik ndërkombëtar.
Gjetjet e Internacionales Progresive ia vlejnë të lexohen dhe të përhapen. Shqipëria nuk është i vetmi vend në të cilin po kryhet një grusht shteti i tillë i heshtur kundër njerëzve dhe natyrës. Edhe në vendin tonë, hapësira publike dhe bregdetet po i jepen oligarkisë për të përfituar kundër mjedisit. Solidariteti me popullin e Shqipërisë është pra një thirrje për rimëkëmbjen e hapësirës publike dhe mbrojtjen e mjedisit, në Greqi dhe kudo.