14 Korrik, 2026

Wagner ndërtoi një perandori trafiku droge në Afrikë

 Wagner ndërtoi një perandori trafiku droge në Afrikë

Mbetjet e grupit mercenar rus Wagner kanë ngritur një rrjet fitimprurës të trafikut të tramadolit në Republikën e Afrikës Qendrore, duke përdorur të ardhurat nga kjo veprimtari për të financuar aktivitetet në minierat e arit dhe për të ruajtur ndikimin e tyre në vend.

Kështu thuhet në një hetim të publikuar nga Wall Street Journal.

Sipas raportit, operacioni drejtohet nga Pavel Prigozhin, djali i themeluesit të ndjerë të Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, dhe është shndërruar në një nga burimet kryesore të financimit të grupit, krahas nxjerrjes së paligjshme të arit.

Hetimi pretendon se rreth 500 luftëtarë të Wagner-it mbetën në Republikën e Afrikës Qendrore pas vdekjes së Yevgeny Prigozhin në vitin 2023, edhe pse Rusia transferoi pjesën më të madhe të operacioneve të grupit jashtë vendit nën kontrollin e strukturave shtetërore.

Sipas gazetës amerikane, këta luftëtarë morën kontrollin e trafikut të tramadolit, një qetësues sintetik që në shumë vende përdoret vetëm me recetë për shkak të rrezikut të lartë të varësisë.

Raporti thotë se pjesa më e madhe e tramadolit prodhohet në Indi dhe eksportohet ligjërisht në Republikën e Kongos. Më pas, droga kontrabandohet përmes lumit Ubangi drejt Republikës së Afrikës Qendrore, ku, sipas hetimit, rrjetet e lidhura me Wagner-in kontrollojnë shpërndarjen.

“Tramadoli shpesh përshkruhet si ‘kokaina e të varfërve’ për shkak të efekteve stimuluese kur konsumohet në doza të larta”, thuhet në raport.

Sipas hetimit, ilaçi përdoret gjerësisht nga punëtorët në minierat e arit të kontrolluara nga Wagner, si edhe nga grupe të armatosura dhe organizata pro-ruse që veprojnë në vend.

Fitimet nga trafiku i drogës, sipas The Wall Street Journal, përdoren për të financuar aktivitetet e tjera ekonomike të grupit, përfshirë shfrytëzimin e pyjeve dhe nxjerrjen e paligjshme të arit.

Organizata me seli në Gjenevë Global Initiative Against Transnational Organized Crime vlerëson se eksportet e paligjshme të arit të kontrolluara nga strukturat e lidhura me Wagner-in gjenerojnë rreth 180 milionë dollarë në vit, ndërsa kontrabanda e tramadolit përbën një burim shtesë të rëndësishëm të ardhurash.

Sipas Wall Street Journal, strukturat e mbetura të Wagner-it vazhdojnë të jenë të integruara në sistemin politik, ushtarak dhe ekonomik të Republikës së Afrikës Qendrore, duke ruajtur një nivel të konsiderueshëm autonomie pavarësisht përpjekjeve të Moskës për të marrë kontrollin e plotë të operacioneve të grupit jashtë Rusisë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *