Vetëm 32 vjeç, por me gati një miliard lekë pasuri – Kush është “biznesmeni” që iu sekuestruan pasuritë nga SPAK?
SPAK ka kryer një operacion sot, ku u bë me dije se janë sekuestruar pasuritë 770 milionë lekëshe të Franc Canajt, një emër jo i panjohur për policinë.
Në 2025, 32-vjeçari Franci Canaj qëlloi me armë zjarri në drejtim të taksistit Gerald Hoxha, duke e lënë atë plagosur në vend.
Ai përmendet edhe në trafikimin e qindra tonëve kokainë nga Amerika Latine në drejtim të vendeve të Europës e më gjerë.
Mirëpo emri i Franc Canajt është përmendur dhe në 2016 kur ai ishte vetëm 23 vjeç, pasi mediat italiane e cilësuan atë si kreun e një bande kriminale që akuzohej për rekrutim, shfrytëzim prostitucioni, armëmbajtje pa leje, dhunë dhe prodhim droge.
Asokohe, hetimet e policisë italiane zbuluan grupi kriminal shqiptar, me në krye Canajn, kishte në zotërim rreth 10 vajza me origjinë nga Shqipëria e Greqia, të cilat i shfrytëzonin për prostitucion.
Ato rriheshin e poshtëroheshin kur nuk arrinin të ardhurat ditore që u ishin vendosur si kufi.
Vajza jetonin në kushte të rënda dhe dhunoheshin si fizikisht e psikologjikisht.
Paralelisht, mbillnin edhe kanabis me paratë që përfitonin nga shfrytëzimi i vajzave.
Franci Canaj është kunati i Ervis Çelës dhe emër i njohur për policinë.
Canaj është në hetim si pjesë e grupit të Çopajve të Elbasanit.
Sekuestrohet kompania e taksive
Kompania “Check Taxi” me adresë te Rruga e Dibrës në Tiranë, është sekuestruar nga Prokuroria e Posaçme.
Ajo rezulton se është në pronësi 100% të shtetasit Franc Canaj, i dyshuar si i përfshirë në rrjetet e narkotrafikut me vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja.
Gjithashtu, me urdhër të SPAK, janë sekuestruar edhe 25 automjete elektrike në pronësi të kësaj kompanie, e cila ushtronte aktivitetin taksi në Tiranë dhe disa qytete të vendit, si dhe udhëtime nga Tirana në Kosovë apo Malin e Zi.
“Në emër të shtetasit Franc Canaj: Kuota 100% të shoqërisë tregtare ‘Check Company Sh.p.k, në rrugën e Dibrës, Tiranë. Gjithsej janë 24 automjete Volksëagen (modeli Ioniq5 dhe ID3, ID4) dhe 1 Toyota (modeli bZ3) në pronësi të kësaj kompanie”, thuhet në njoftim.