11 Shtator, 2026

Vdekja misterioze e gruas që zbuloi aferën e kreut të FBI me Edi Ramën

 Vdekja misterioze e gruas që zbuloi aferën e kreut të FBI me Edi Ramën

Allison Guerreiro, ish-e dashura 52-vjeçare e agjentit të diskretituar të FBI-së, Charles McGonigal, ka vdekur në shtëpinë e saj, raporton tabloidi britanik Daily Mail.

Babai i Guerreiros deklaroi se e bija është ndarë nga jeta më 27 gusht, në shtëpinë e saj në Florida, por sipas tij ajo kurrë nuk do të kishte kryer vetëvrasje.

Guerreiro ishte një prej personave që zbuloi informacione që çuan në dënimin e ish-shefit të kundërzbulimit të FBI në Nju-Jork, duke dhënë detaje për aktivitetet e paligjshme të tij, ryshfeteve që merrte dhe bashkëpunimin me një oligark rus.

Ajo pati denoncuar edhe marrëdhënien e ish-partnerit të saj me kryeministrin Edi Rama. Guerriero deklaroi se McGonigal i kishte treguar se do të udhëtonte në Shqipëri për t’u takuar me Edi Ramën.

Ish-agjenti i lartë i FBI-së është dënuar në dy procese të ndryshme gjyqësore në SHBA, duke marrë gjithsej dy dënime të veçanta me burg për shkak të lidhjeve të tij të paligjshme me një oligark rus dhe për fshehjen e parave e kontakteve në Shqipëri.

Në dhjetor të vitit 2023, një gjykatë në Nju Jork e dënoi atë me 4 vjet e 2 muaj burg dhe një gjobë prej 40 000 dollarësh. McGonigal pranoi fajësinë për bashkëpunim dhe thyerje të sanksioneve amerikane duke ndihmuar oligarkun rus, Oleg Deripaska, i cili kërkonte të hiqej nga lista e sanksioneve të SHBA-së.

Në shkurt të vitit 2024, Gjykata Federale e Uashingtonit e dënoi McGonigal me 28 muaj burgim, pasi e shpalli fajtor për marrjen e 225 mijë dollarëve cash nga një ish-agjent i inteligjencës shqiptare, Agron Neza, dhe për fshehjen e kontakteve zyrtare e takimeve të padeklaruara me zyrtarë të Shqipërisë, përfshirë kryeministrin Edi Rama.

McGonigal ka qenë një nga zyrtarët më të lartë të kundërzbulimit të FBI-së dhe është një nga agjentët e rangut më të lartë të këtij institucioni që dënohet ndonjëherë për vepra penale në historinë e SHBA-së.

***

Guerriero, një mikeshë e ngushtë e ish-kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut, Rudy Giuliani ndërroi jetë mbrëmjen e 27 gushtit, sipas babait të saj 80-vjeçar, Billit.

Ajo kishte pasur një lidhje 18-mujore me McGonigal, ish-kreun e kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork. Pas zbulimit të tij ajo ndihmoi hetuesit të zbulonin krimet e tij, përfshirë edhe një punë të fshehtë që ai bënte për oligarkun rus Oleg Deripaska.

McGonigal po vuan një dënim me 6 vjet e 6 muaj në burg federal, por Guerriero këmbënguli gjithmonë se ai duhet të merrte një dënim më të ashpër.

Ajo kishte përmendur në dëshmitë e saj edhe raportet e McGonigal me kryeministrin shqiptar Edi Rama. Në një intervistë për Euronews Albania, Guerriero tha se McGonigal kishte një marrëdhënie të veçantë me kreun e qeverisë shqiptare.

“Ai do të shkonte në Shqipëri të takohej me Kryeministrin Edi Rama, por nuk më tregonte se kush ishte objekti i takimit. Unë besoj se ishin miq personal dhe flisnin shpesh në telefon më njëri-tjetrin. Charli e ka marrë në telefon kryeministrin Rama në praninë time jo shpesh, por shpesh më thoshte që e kishte mik të mirë.

Charlie më thoshte që ishte mik me Kryeministrin Rama dhe mu duk e pazakontë që një agjent i këtij niveli të lartë të FBI të ketë një miqësi të tillë. Ata shpesh flisnin në telefon me Viasat dhe më tregonte foto që kishin qenë bashkë.

Më dukej një miqësi e pazakontë. Kur Rama ishte në New York, Charlie më tha që ata kishin ngrënë darkë bashkë në një restorant të shtrenjtë dhe për mua kjo ishe një gjë që një agjent i FBI nuk duhet ta bënte. Në Shqipëri janë takuar, dhe Charlie më ka çuar një tekst në shtator të 2017-ës kur ishte atje. Më tha që do të udhëtonte në Shqipëri dhe në Kosovë” – tha ajo në atë kohë.

Ditën e vdekjes së saj, ajo postoi një video-selfie duke shëtitur në Boynton Beach, Florida, duke thënë: “Hej, mirëmëngjes të gjithëve. Miq dhe armiq… sigurisht që jam në mes të gjithë çrregullimit tim post-traumatik të stresit (PTSD) që nga 11 shtatori, por në fakt po marr frymë me lehtësim të madh…”

Babai i saj i tha Daily Mail se ende nuk i është thënë shkaku i vdekjes apo rrethanat. “Nuk e dimë ende. Po presim të kemi qasje në raportin e autopsisë. Besoj se do të lëshojnë një certifikatë vdekjeje brenda ditës tjetër, në mënyrë që ta çojmë në shtëpi dhe ta varrosim”, tha ai.

“Mund të ketë qenë një aksident. Mund të ketë rrëshqitur. Mund të ketë qenë çdo gjë. Po presim certifikatën e vdekjes që të dimë se çfarë ka ndodhur” – tha ai.

Një zëdhënës i policisë i tha Daily Mail se “Nuk duket të ketë shenja të ndonjë vepre të paligjshme në këtë moment”, por hetimi është duke vazhduar. Nuk përjashtohet as mundësia e vetëvrasjes apo dhe e një krimi. Njëri prej miqve të saj i tha Daily Mail: “Ajo kërcënohej shumë nga njerëzit në internet për pikëpamjet e saj. Ajo sigurisht që kishte armiq.”

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *