Vangjush Furxhi, një emër që koha e ngriti në monument
Nga Albert Vataj
Koha nxiton pa pyetur për hapat që lë pas, dhe kujtesën që zvarret zoritshëm nën peshën e harrimit, por ka disa figura që nuk i tret vërshimi poterisës i viteve, ato thjesht lartësohen në trajën e një monumenti shpirtëror.
Sepse është e shpirtshme ajo që ata i përfaqëson dhe përkatëson.
Sot, në këtë të 25-të përvjetor të ndarjes nga jeta të Vangjush Furxhit, humbja fizike zhvishet nga velloja e harresës për t’u shndërruar në një amshim të kthjellët, një përjetësi që shfaqet e vagullt por e pranishme.
Një zë unik i skenës sonë u këput çerek shekulli më parë, por vetëm për të mbetur si një shkrepëtimë e amshuar në eterin e fjalës së plazmuar me jetë, atje ku gjenialiteti i tij i dha trup e shpirt çdo personazhi, duke merituar përjetësinë bashkë me ta.
Ai iku, por çfarë mbeti prej tij, i përket thesarit të artit, i cili e lartësoi në eter, pasionin dhe përkushtimin, sakrificat dhe mundin, dhe atë që kurrë Vangjush Furxhi nuk i dha zë, beteja me botkuptimin dhe censurën, ideologjinë dhe kontrollin, rryma të cilat ndryllën artin, por pa mundur dot ta zbrazin atë nga shpirti.
Ka ikje që nuk sjellin zbrazëti, por shndërrohen në një rrymë të padukshme që frymon thellë brenda nesh.
Ka zëra që heshtin fizikisht, por ajo heshtje bëhet një jehonë aq e plotë, sa mbyt çdo zhurmë kalimtare. I tillë është kujtimi për Furxhin, aktorin e dilemave më të thella njerëzore, artistin që nuk i solli skenës thjesht një portret ose profil, por i falte atij altari syrin e tij depërtues, dridhjen e zemrës dhe vërtetësinë e çdo psherëtime.
Nga Korça e serenatave, e librave dhe e elegancës shpirtërore, Vangjushi mori me vete atë butësi aristokratike dhe atë fisnikëri karakteri që do ta spikaste përgjithmonë. Por ishte vullneti dhe etika e tij profesionale ajo që e shndërroi në themelin e një arti stoik, pa asnjë kompromis. Në Teatrin “Andon Zako Çajupi”, ai nuk luante, ai ekzistonte. Çdo rol që prekte merrte formën e mishit të tij, çdo fjalë peshonte si gurtë e rëndë të të vërtetës, e çdo heshtje e tij ndriçohej nga ai shikim që fliste më shumë se një monolog i tërë dramatik.
Në ekranin e kinematografisë shqiptare, ai mbeti një udhëtar i rrallë. Arifi te “I teti ne Bronx” prodhim i vitit 1970, me regji të Viktor Gjika, skenari nga Dritëro Agolli dhe Viktor Gjika. Apo Peliçeli te “Malet me blerim mbuluar” prodhim i vitit 1971 me regji dhe skenar të Dhimitër Anagnosti. Besian Vorpsi gjithashtu te “Të paftuarit” film i vitit 1985 me regji nga Kujtim Çashku dhe skenar nga Ismail Kadare. Për të ndërmendur rolin e Latif Borës te “Agimet e stinës së madhe” të Albert Mingës, 1981. Secili prej tyre constitutes vetëm një maskë të përkohshme mbi të vërtetën e tij të madhe. Vangjushi dinte t’u jepte peshë tragjike e dinjitoze dilemave të njeriut të zakonshëm. Ai e kthente shikimin në dritë, buzëqeshjen në thikë e heshtjen në një thirrje ulëritëse. Syri i tij ishte një pasqyrë ku vuajtja e gëzimi përplaseshin si dy rryma që nuk mund t’i ndaje kurrë.
Përtej dritave të skenës, Vangjush Furxhi ishte një pedagog vizionar dhe mbrojtës i patundur i kulturës. Si bashkëthemelues i katedrës së regjisurës në Institutin e Lartë të Arteve, ai nuk u la studentëve thjesht dije teknike apo mekanizma aktrimi, por u ushqeu atyre etikën, ndjeshmërinë dhe kulturën e thellë të përjetimit shpirtëror. Më vonë, në detyrat e tij drejtuese, ai nuk e përdori kurrë pushtetin si peshë apo autoritet, por si mburojë për të mbrojtur artin e vërtetë. Titulli “Artist i Popullit” për të nuk ishte një kurorë e lehtë lavdie, por një barrë detyrimi e mbajtur me përulësi absolute, pa kërkuar kurrë duartrokitje të lirë, por duke dhënë gjithçka nga vetja.
Mevlan Shanaj, në librin e tij “Të fshehta jashtë ekranit”, me legjitimitetin e një shpirti që e lartëson vlera dhe vepra do t’i drejtohej me atë ndjesë prekëse: “Më fal, Vangjush Furxhi, që nuk njihje djallëzi, që nuk bëre pazare me shpirtin, që nuk e shite artin për duartrokitje…”