Ukraina godet me dronë Shën Petersburgun në prag të forumit ekonomik “Davosi rus”
Dronë ukrainas kanë goditur objekte energjetike dhe ushtarake në Shën Petersburg në orët e para të së mërkurës, vetëm pak orë përpara mbërritjes së delegacioneve ndërkombëtare për forumin kryesor ekonomik të qytetit, i njohur si “Davosi rus”.
Sipas autoriteteve ruse, disa dronë me rreze të gjatë kanë rënë në depo nafte pasi mbrojtja ajrore nuk arriti t’i neutralizonte. Banorët raportuan shpërthime të forta dhe një re të madhe tymi të zi mbi qytet, që ngrihej nga një terminal nafte në flakë.
Guvernatori i Shën Petersburgut, Alexander Beglov, deklaroi se janë goditur distriktet Kirovsky dhe Krasnoselsky.
Ukraina ka shënjestruar gjithashtu bazën detare të Kronstadt-it dhe një kantier detar në rajonin e Leningradit, ku ndodhet flota baltike ruse, me raporte për dëmtime në anije.
Sulmet ndodhën rreth 16 kilometra larg vendit ku po zhvillohet forumi ekonomik, ku Vladimir Putin pritet të mbajë fjalimin kryesor të premten.
Si pasojë, aeroporti i qytetit u mbyll përkohësisht dhe disa fluturime u anuluan ose u devijuan.
Rreth 20 mijë pjesëmarrës nga 130 vende pritet të marrin pjesë në këtë aktivitet tre-ditor, i cili është prezantuar nga Moska si alternativa e saj ndaj forumit të Davosit.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka cilësuar këto sulme si pjesë të “sanksioneve afatgjata” ndaj infrastrukturës ruse, duke thënë se janë goditur objekte të rëndësishme në territorin rus, përfshirë terminale nafte dhe objekte ushtarake.
Nga ana tjetër, Rusia e konsideron këtë një përshkallëzim të rrezikshëm, ndërsa sulmet vijnë vetëm një ditë pasi raketat ruse vranë 23 persona në Ukrainë dhe plagosën dhjetëra të tjerë.