Ukraina godet forcat speciale të Kadyrov-it
Forcat ukrainase kanë goditur me raketa HIMARS një terren stërvitor të përdorur nga batalioni special “Akhmat” në rajonin e Kursk-ut, pranë kufirit me Ukrainën, sipas pamjeve të publikuara nga komuniteti OSINT Exilenova+.
Videoja e publikuar më 24 maj duket se tregon dronë zbulues ukrainas duke identifikuar aktivitetin rus në një qendër të improvizuar stërvitore pranë kufirit, përpara se disa raketa të godasin zonën.
Sipas raportimeve paraprake të Exilenova+, “dhjetëra” ushtarë rusë mund të jenë vrarë nga sulmi, megjithëse nuk ka ende konfirmim zyrtar për numrin e viktimave.
Sulmi i raportuar vjen pas një serie operacionesh ukrainase që kanë vënë në shënjestër njësitë “Akhmat”, të lidhura ngushtë me liderin çeçen Ramzan Kadyrov dhe të angazhuara në luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
Në fillim të muajit maj, inteligjenca ushtarake ukrainase pretendoi se njësia speciale Shamanbat, e përbërë pjesërisht nga vullnetarë çeçenë të Ichkerias, në bashkëpunim me Brigadën e 104-t territoriale “Horyn”, kishte zhvilluar një operacion disa mujor kundër forcave “Akhmat” mes shkurtit dhe prillit 2026.
Sipas Kievit, operacioni ishte mbështetur nga një agjent i infiltruar brenda njësisë ruse – një ish-ushtarak i “Akhmat”, i cili kishte vendosur kontakte me inteligjencën ukrainase në fillim të vitit 2025 dhe më pas ishte nxjerrë në mënyrë të sigurt në territorin e kontrolluar nga Ukraina.
Autoritetet ukrainase pretendojnë se informacioni i mbledhur përmes operacionit ka ndihmuar në goditjen e luftëtarëve të lidhur me Kadyrov gjatë lëvizjeve dhe grumbullimeve të tyre.
Sipas raportimeve OSINT, njësia “Akhmat” kishte pësuar humbjet më të mëdha që nga nisja e pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës gjatë operacionit dymujor, me 41 të vrarë, 87 të plagosur dhe më shumë se 100 të zhdukur.