Ukraina e çon luftën me Rusinë në Afrikë
Lufta mes Ukrainës dhe Rusisë po zhvillohet tashmë edhe në shkretëtirat e Afrikës, ku një grup operatorësh ukrainas të dronëve po ndihmon forcat rebele lokale kundër trupave ruse në veri të Malit, sipas CNN.
Rreth 15 specialistë ukrainas po ndihmojnë aktivisht rebelët lokalë, duke punuar në kushte ekstreme.
Temperaturat gjatë ditës kalojnë rregullisht 110 gradë Fahrenheit, rreth 43 gradë Celsius, ndërsa gjatë natës bien ndjeshëm. Uji është i pakët dhe pluhuri e rëra depërtojnë kudo.
Rusia kërkon të forcojë pozitat e saj në kontinentin afrikan dhe të dëshmojë statusin e saj si një aktor ndërkombëtar me ndikim.
Moska po i kushton vëmendje të veçantë rajonit të Sahelit, të pasur me burime natyrore, por të karakterizuar nga paqëndrueshmëria politike dhe grushtet ushtarake të shtetit.
Grupi ukrainas në Mali mban lidhje të ngushta me Frontin Çlirimtar të Azawadit, i përbërë kryesisht nga rebelë Tuareg në veri të vendit.
Sipas CNN, ukrainasit nuk luftojnë drejtpërdrejt në vijën e frontit. Ata trajnojnë rebelët, ofrojnë mbështetje dhe marrin pjesë në planifikimin e operacioneve.
Një operator ukrainas dronësh tha se koordinon nga distanca luftëtarët vendas. Sinjali i dronit i transmetohet përmes internetit dhe ai më pas udhëzon operatorin me radio, duke korrigjuar veprimet e tij.
Një burim i inteligjencës ukrainase tha për CNN se një nga objektivat e operacioneve jashtë vendit është dobësimi i ndjeshëm i ndikimit rus. Kievi synon njëkohësisht të ushtrojë presion ndaj Moskës dhe të minojë perceptimin e Rusisë si një aleate e besueshme për vendet afrikane.
“Po e kthejmë përvojën tonë në fushën e dronëve në një instrument të politikës së jashtme”, tha burimi.
Operacionet në Afrikë i ofrojnë Ukrainës edhe përfitime praktike. Kushtet shumë të ndryshme nga fronti ukrainas i mundësojnë asaj të testojë pajisjet, të përmirësojë aftësitë dhe t’u demonstrojë partnerëve ndërkombëtarë efektivitetin e metodave ukrainase.