Udhëtimi epik i plakut shqiptar 81 vjeçar, që do kalojë i vetëm oqeanin Atlantik për të marrë pjesë në një kuvend të madh
Shqipëria, sekreti i fundit i Europës? Misteri i parafundit i Ballkanit? Maldivet e fshehta të Europës Juglindore? Harrojini këta tituj të shpëlarë dhe demode të mediave të huaja. Këto ditë gjithë vëmendja e shtypit botëror është përqëndruar në sipërmarrjen epike të një plaku shqiptar 81 vjeçar, i cili ka vendosur të kalojë i vetëm oqeanin Atlantik, për të marrë pjesë në një kuvend të madh, atje në Teksasin e largët.
“Nuk kishte mbetur njeri pa e sfiduar plakun krenar e sypatrembur: Ti nuk e kalon dot oqeanin; jo po provoje po ta mbajti; rri o xhaxha piq gështenja në vatër, se nuk je ti për këto punë… por ata nuk e dinin me kë kishin të bënin. Dhe ja, sot 81 vjeçari nga vendi i vogël dhe i largët, Armenia, po përgatit rraqet e fundit për të nisur odisenë e padëgjuar. Ernest Heminguej le të rrotullohet në varr me zhgarravinën e tij “Plaku dhe deti”. Tani po shkruhet epopeja Plaku dhe Oqeani”, shkruante së fundi një reportazh i gazetës së njohur “Rilindja e Dallasit”.
***
Dhe vërtet, udhëtimet epike nuk janë të panjohura për plakun shqiptar. Që në rininë e hershme, ai u nis në këmbë nga fshati i tij në Bjeshkët e Namuna drejt Tiranës, vetëm me një ëndërr në sirtar: Të bëhej heqim. (Dashakeqët thonë se si i padalë që ishte, në vend të merrte vetëm ëndrrën, mbërriti në kryeqytet megjithë sirtarin).
Akti nuk kaloi pa u vënë re në shtypin e kohës.
“Ja ku takojmë djaloshin që do bëhet plak 81 vjeçar pas shumë vitesh. Ai tani ka hyrë në shkollën e mjekësisë me gjithë sirtarin që e ka marrë me vete nga fshati. Njerëz të tillë, me sirtarët plot, i duhen partisë,” shkruante atëbotë gazeta “Piskama e Popullit”.
Gjestet e guximshme, aktet e pazakonta dhe rekordet nuk kanë qenë episode rastësore për plakun. Thuhet se ai dikur e kishte mbajtur dorën e djathtë të palarë për një muaj rresht, sepse kishte takuar udhëheqësin e madh të partisë dhe të popullit. Edhe kur e lau – pasi kishte shkuar zhuli ku nuk mbante më – i pikoi në zemër. Një herë tjetër, kësaj rradhe si profesor i mjekësisë, kishte arritur që brenda dy orëve t’u priste me gërshërë pantallonat kaubojs plot 25 studentëve të degjeneruar, duke thyer kështu rekordin e mjekut tjetër të nderuar, Tritol Shehu, të cilit iu mpinë duart tek studenti i 22-të.
Ndërkaq, do mbetet në histori performanca e magjishme e tij disa vite më parë, e frymëzuar nga akti heroik i shokut Mao Ce Dun që kaloi me not lumin Jangce. Nën vështrimin skrupuloz dhe skeptik të mediave, plaku arriti të pluskojë mbi ujë për fiks 153 minuta, duke lënë pa fjalë edhe qefujt që i vinin rrotull poshtë këmbëve, që nuk po arrinin t’u besonin luspave.
***
Sigurisht, është e pamundur brenda një raportimi kaq modest, të rendisësh të gjitha rekordet e plakut 81 vjeçar. Por nuk ka qenë e lehtë për të.
Oqeankaluesi ka përjetuar shumë vështirësi dhe kufizime, për të ardhur deri në këtë ditë të lumtur ujore. Njëherë e kishin rrethuar brenda në presidencë dhe po i kërkonin paratë që ai demek u kishte vjedhur njerëzve. Njëherë tjetër e rrethuan në kryeministri. Ishte vetëm aftësia e tij e shkëlqyer në qitje, që mundësoi të eliminonte katër banditë, të çante rrethimin dhe të tërhiqej pa humbje.
Edhe më i rëndë ishte izolimi brenda në shtëpi i viteve të fundit. Një periudhë e poshtër, kur ai nuk kalonte dot as lumin për të shkuar në selinë e partisë, e jo më të mendonte për dete e oqeane. Por ai nuk e humbi shpresën. Për të mos e harruar instinktin ujor, gjatë ditës stërvitej duke kaluar një legen me ujë, ndërsa në mbrëmje dilte në dritare dhe u bërtiste kalimtarëve të mos bënin zhurmë. Me kalimin e kohës, kalimtarët u bënë kuriozë për plakun ulëritës, filluan të ndalonin për ta dëgjuar dhe dora-dorës, u afeksionuan pas tij.
***
Kështu ndodhi që fama e plakut zëçjerrë mbërriti deri në Teksas të Shteteve të Shpërndara të Amerikës. Burrat e mençur të atij vendi, të mbledhur në një këshill individësh brilantë të quajtur republikanë, vendosën se 81 vjeçari e meritonte edhe një shans.
“U thom ta ftojëm, ta sjellëm dhe ta dëgjojëm. Ose thjesht të bëjëm demek se ja vëmë veshin, se është plak i ziu dhe i bënet qejfi,” tha njëri prej tyre në dialektin e Teksasit, që ngjan pak a shumë me labërishten e Kurveleshit. Dhe ranë dakord, me kushtin që plaku të paguante vetëm biletën 6 milionë dollarëshe. Fjetjen dhe ushqimin do ta mbulonin ata.