“Trupi i Faikut është në dollap dhe po prishet” – Letrat e Fan Nolit drejtuar Enver Hoxhës
Në dhjetor të vitit 1942, Faik Konica do të mbyllte sytë. Pak kohë para vdekjes i shkruante Nolit:
“Ndërroj jetë me mejtimin se ti je njeriu që më ke kuptuar më mirë në këtë botë… (shkruar nga dora e Konicës, kjo duket boll e çuditshme, sepse njihet përplasja që Konica e Noli kanë pasur gjatë gjithë jetës së tyre)…
Nuk do të më tretë dheu, nëse ti imzot dhe të gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë, nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë”.
Për këtë amanet Noli i drejtohet Enver Hoxhës (me të cilin ka pasur një letërkëmbim të gjatë në vitet 1945-1946):
“Dëshira e fundit e Faik Konicës ishte që të prehej në atdhe, në Shqipëri. Kini mirësinë të na njoftoni kur do të ishte e përshtatshme që të silleshin eshtrat e tij me nderimet përkatëse si kampion i pavarësisë së Shqipërisë”.
Por Enver Hoxha nuk i ktheu asnjëherë përgjigje për këtë çështje.
“Trupi i Faikut është në dollap dhe po prishet”
Duke qenë se Enver Hoxha si ktheu përgjigje, Noli i shkruajti Sejfulla Malëshovës:
“Bëj përpjekje për të ndjerin Faik se është akoma në dollap dhe koston shumë dhe trupi ka filluar të prishet. Më kthe përgjigje për këto”.
As Malëshova nuk i ktheu përgjigje. Noli do të ikte nga kjo botë me pengun se nuk e çoi deri në fund amanetin e mik-armikut të tij.
Eshtrat e Konicës u kthyen në atdhe vetëm në maj 1995. Ato u vendosën në Parkun e Tiranës, pranë varreve të vëllezërve Frashëri.