28 Shtator, 2026

Trupat amerikane ndihmojnë Ekuadorin në operacionin kundër kartelit meksikan

 Trupat amerikane ndihmojnë Ekuadorin në operacionin kundër kartelit meksikan

Trupat amerikane morën pjesë në një operacion të gjerë në Ekuador që çoi në arrestimin e më shumë se 30 personave të dyshuar për lidhje me një prej karteleve më të njohura të drogës në Meksikë.

Operacioni u zhvillua në orët e para të së enjtes në disa qytete dhe kishte në shënjestër një degë lokale të kartelit Jalisco New Generation, i njohur si CJNG, sipas ministrit të Brendshëm të Ekuadorit, John Reimberg.

“Operacioni u zhvillua së bashku me trupat amerikane dhe Agjencinë Amerikane kundër Drogës (DEA)”, shkroi Reimberg në X.

Sipas ministrit, më shumë se 30 shtetas ekuadorianë u arrestuan nën dyshimin se i përkisnin një grupi me “lidhje të drejtpërdrejtë me CJNG”.

Autoritetet ekuadoriane thonë se rrjeti merrej me trafikimin e kokainës nga Kolumbia drejt tregjeve ndërkombëtare, duke përdorur portet në jugperëndim të Ekuadorit.

Në operacion morën pjesë rreth 320 efektivë të policisë ekuadoriane dhe 50 pjesëtarë me uniformë të Komandës Jugore të Shteteve të Bashkuara.

Bashkëpunimi me SHBA-të zgjerohet

Operacioni është pjesë e një bashkëpunimi gjithnjë e më të ngushtë mes Uashingtonit dhe Quitos në luftën kundër krimit të organizuar në Amerikën Latine.

Edhe më herët gjatë këtij viti, komando amerikane iu bashkuan forcave ekuadoriane në një mision të përbashkët kundër një qendre të dyshuar kriminale në bregdetin e vendit.

Fushata ushtarake e Ekuadorit kundër organizatave kriminale ka shkaktuar ndërkohë shqetësime te organizatat e të drejtave të njeriut, të cilat kanë denoncuar raste të përdorimit të tepruar të forcës, torturës dhe zhdukjeve me forcë.

Presidenti Daniel Noboa i hodhi poshtë kritikat gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të mërkurën.

“Marrim shumë kritika për luftën kundër krimit të organizuar dhe shumë pak shqetësim për numrin e viktimave që po shohim nga krimi i organizuar”, tha Noboa.

Ekuadori, dikur një prej vendeve më të sigurta të Amerikës së Jugut, është shndërruar vitet e fundit në një nyje të rëndësishme të trafikut të kokainës, ndërsa bandat vendase kanë krijuar lidhje me kartelet meksikane dhe kolumbiane.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *