Trump-Rusi, çfarë hetoi fshehurazi FBI-ja
Dokumente të deklasifikuara së fundmi nga Shtëpia e Bardhë kanë zbuluar detaje të reja mbi një hetim pak të njohur të FBI-së, të hapur në vitin 2017 për të përcaktuar nëse Donald Trump kontrollohej, drejtohej apo koordinonte aktivitete me Rusinë në një mënyrë që mund të kërcënonte sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Sipas New York Times, dokumentet nuk përmbajnë elemente të reja thelbësore që rrëzojnë arsyetimin e FBI-së për nisjen e hetimeve mbi Rusinë. Megjithatë, ato hedhin dritë mbi vendimin e pazakontë të Byrosë për të hapur një hetim të veçantë kundërzbulimi ndaj presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe mënyrën se si ky hetim u devijua përpara se të zhvillohej plotësisht.
Trump ka hedhur vazhdimisht poshtë si akuza politike të pabaza pretendimet se ishte një aset rus ose se kishte lidhje të gjera financiare me Rusinë. Asnjë hetim i njohur publikisht nuk ka provuar se Trump vepronte me urdhër të rusëve.
Gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016, FBI-ja kishte nisur operacionin “Crossfire Hurricane” për të hetuar nëse fushata e Trump po bashkëpunonte me qeverinë ruse gjatë ndërhyrjes së Moskës në zgjedhje kundër Hillary Clinton. Ky hetim nuk shqyrtonte drejtpërdrejt sjelljen personale të Trump apo lidhjet e tij me Rusinë.
Situata ndryshoi në maj 2017, një javë pasi Trump shkarkoi drejtorin e FBI-së, James Comey.
Zyrtarët e lartë dhe agjentët e kundërzbulimit vendosën të hapnin një hetim me dy drejtime, të koduar “Oxferd Comma”.
Drejtimi i parë ishte penal dhe synonte të përcaktonte nëse Trump kishte penguar drejtësinë duke shkarkuar Comey dhe duke ndërhyrë në hetimin për ndërhyrjen ruse në zgjedhje, si dhe nëse fushata e tij kishte komplotuar me rusët.
Drejtimi i dytë ishte një hetim kundërzbulimi mbi lidhjet e vetë Trump me Rusinë.
“Qëllimi i hetimit është të përcaktojë nëse presidenti Trump drejtohet ose drejtohej, kontrollohet ose kontrollohej dhe/ose koordinonte aktivitete me Federatën Ruse në një mënyrë që përbën kërcënim për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe/ose shkelje të ligjeve penale federale”, thuhet në një nga memot e deklasifikuara.
Sipas dokumenteve, FBI-ja kishte arritur në përfundimin se Rusia kishte ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016 për të ndihmuar Trump. Byroja gjithashtu kishte informacion se rusët kishin ofruar ndihmë për fushatën dhe se Trump, përpara shkarkimit të Comey, i kishte ushtruar presion atij për t’i dhënë fund hetimit mbi lidhjet mes fushatës së tij dhe Rusisë.