4 Nëntor, 2026

Trump e quajti “nevojtore”, kush është sekreti i një prej vendeve me mirëqenien më të lartë në botë

 Trump e quajti “nevojtore”, kush është sekreti i një prej vendeve me mirëqenien më të lartë në botë

Nga Orgen Peci

Deklaratat e fundit të Donald Trump, i cili duke shprehur pakënaqësinë ndaj Norvegjisë pse nuk mori Çmimin Nobel, përdori gjuhë fyese ndaj vendit, bënë bujë në të gjithë botën. Përgjigjja norvegjeze erdhi përmes qetësisë dhe një ironie të matur, në kontrast të fortë me gjuhën vulgare të presidentit amerikan.

Përtej sjelljes qesharake të Trump me Norvegjinë, ky episod nxori në pah një kontrast domethënës. Mënyrën si një nga shoqëritë më të suksesshme dhe më të qëndrueshme në botë përballon situata të tilla.

Dihet që Norvegjia renditet prej vitesh ndër vendet e para në botë për standardin e jetesës dhe zhvillimin njerëzor. Çfarë e bën realisht Norvegjinë një vend kaq të zhvilluar? Cili është sekreti i mirëqenies së saj?

Shumë njerëz mendojnë se pas këtij suksesi qëndron pasuria natyrore, më konkretisht nafta dhe gazi i zbuluar në Detin e Veriut.

Por naftë dhe gaz kanë edhe shumë vende të tjera. Kjo nuk i ka bërë domosdoshmërisht shoqëri të drejta dhe të mirëqena. Disa i kanë kthyer këto pasuri në sulltanate luksi dhe vaniteti, ku pasuria kombëtare shërben për privilegjet e një pakice, ndërsa të tjera i kanë parë burimet e tyre natyrore të përfundojnë në duart e interesave të huaja, për shkak të korrupsionit dhe keqqeverisjes.

Pra, sekreti i Norvegjisë nuk është se çfarë pasurie zotëron, por si ka zgjedhur ta administrojë atë. Nuk është nafta që krijon mirëqenien, por institucionet që garantojnë se pasuria e vendit do të punojë për qytetarët dhe brezat që vijnë.

Norvegjia krijoi Fondin Sovran të Pasurisë (Oljefondet), i cili sot është një nga fondet më të mëdha të investimeve në botë, me një vlerë që ka kaluar disa trilionë dollarë. Ai investon në mijëra kompani ndërkombëtare, në aksione, prona dhe instrumente financiare në tregjet globale.

Ky fond nuk është një arkë që qeveria mund ta hapë sipas dëshirës për të financuar interesa elektorale apo për të mbuluar shpenzime arbitrare. Ai është ndërtuar si një pasuri kombëtare, që duhet t’u shërbejë jo vetëm qytetarëve të sotëm, por edhe gjeneratave.

Ka një rregull fiskal që synon të kufizojë përdorimin e kësaj pasurie nga qeverisjet. Në terma afatgjatë, shpenzimet e financuara nga fondi duhet të jenë në përputhje me kthimin real të pritshëm të investimeve, aktualisht të vlerësuar në rreth 3 për qind të vlerës së fondit në vit. Pra, nuk shpenzohen fitimet apo kapitali sipas nevojave të momentit politik, por ndiqet një parim që mbron qëndrueshmërinë financiare të vendit.

Rezultati? Sipas të dhënave më të fundit të publikuara për vitin 2026, çdo banor i Norvegjisë ka, në një përllogaritje teorike, rreth 3,9 milionë korona norvegjeze pasuri sovrane për frymë, ose afërsisht 400 mijë dollarë amerikanë. Kjo llogaritje bazohet në vlerën e Fondit Sovran të Pasurisë së Norvegjisë, rreth 22 trilionë korona, të ndarë me popullsinë e vendit. Pra 400 mijë dollarë për çdo banor, nga foshnja që sapo lind deri te i moshuari siguron ky fond.

Është e qartë që ky vend ka ndërtuar tashmë një pasuri të përbashkët me një vlerë të jashtëzakonshme për frymë.

Por modeli norvegjez nuk mbështetet vetëm te fondi i naftës. Ai është produkt i një demokracie sociale, ku taksat relativisht të larta financojnë shërbime publike cilësore dhe një rrjet të gjerë sigurie sociale. Arsimi, shëndetësia, kujdesi për fëmijët, mbështetja për familjet dhe mbrojtja sociale janë pjesë e një marrëveshjeje të gjerë mes shtetit dhe qytetarëve. Pabarazitë ekonomike mbahen relativisht të ulëta, institucionet janë të forta, transparenca publike është e lartë. Për rrjedhojë, korrupsioni është shumë i ulët.

Rrufjanëve të sotëm që kanë mbushur qeveritë e botës, një model i tillë mund t’u duket utopi ose një mënyrë tepër e lodhshme për të qeverisur.

Por ky është mësimi më i rëndësishëm i Norvegjisë: pasuria natyrore nuk e bën automatikisht një vend të pasur dhe as nafta nuk garanton mirëqenie. Gjithçka varet nga institucionet, rregullat dhe vullneti politik për ta trajtuar pasurinë kombëtare si pronë të përbashkët, jo si plaçkë pushteti.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *